Deputetët që fituan mandatet gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, janë mbledhur në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Sipas rendit të ditës, në këtë seancë pritet të zgjidhen organet e reja të Kuvendit, kryetari, pesë nënkryetarët dhe të caktohen grupet parlamentare. Seancën po e drejton deputeti më i vjetër, Jahja Kokaj, së bashku me deputeten më të re, Fjolla Ujkani.

Raporti i komisionit verifikues për mandate është votuar në Kuvendin e Kosovës me 110 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Në seancën e sotme janë betuar edhe 110 deputetë të legjislaturës së shtatë.

Kryesuesja e komisionit verifikues për mandate, Albulena Haxhiu tha se sot në seancë janë 111 deputetë, e të tjerë të cilët nuk janë në sallë, mbetet që në seancën e ardhshme të betohen.

“Janë 111 deputetë, dhe mungojnë Uran Ismajli, Abelard Tahiri, Pal Lekaj, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala, Kujtim Gashi, të cilët në seancën e radhës duhet të japin betimin. Andaj seanca konstituive mund t’i vazhdojë punimet sipas agjendës së paraparë dhe rregullave të procedurës”, tha ajo.

Kosova ende pa qeveri
Konstituimi i Kuvendit është vënë në pikëpyetje pasi që dy partitë që synojnë formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk kanë arritur ta finalizojnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, seanca po drejtohet nga deputeti më i vjetër, Jahja Koka dhe deputetja më e re, Fjolla Ujkani, të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Fillimisht është formuar Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandatit të deputetëve. Pasi që ky komision t’i verifikojë mandatet, deputetët pritet të japin betimin sipas ligjit dhe Kushtetutës.

Me Kushtetutën e Kosovës, pozita e kryetarit të Kuvendit i takon Lëvizjes Vetëvendosje. Por, si pjesë e marrëveshjes politike dhe vënies së baraspeshës në pushtet, Vetëvendosje është shprehur e gatshme që këtë pozitë t’ia lë nën udhëheqje LDK-së. Në rast se Kuvendi procedon me zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, atëherë, kjo pozitë do të përjashtohej si pjesë e negociatave për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për qeverinë dhe organet tjera të pushtetit.

Nisur nga ky fakt, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, është deklaruar se nuk e preferon konstituimin e Kuvendit pa arritjen e marrëveshjes për qeverinë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar të mërkurën se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.
Ai nuk i ka shpallur të përfunduara negociatat për qeverinë e re, por ka thënë se në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK shkojnë pa marrëveshje.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi ka cituar nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufca, i cili ka deklaruar se “nuk është në interes të Kosovës të bëjmë konstituim të organeve të Kuvendit pa marrëveshje gjithëpërfshirëse edhe për qeverinë”.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se negociatat nuk kanë dështuar, por sipas tij “ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”.

Artikulli paraprakARMË,DROGË DHE FITIL ZJARRPËRCJELLËS, ARRESTOHET 27-VJEÇARI
Artikulli tjetërVETËVRITET ISH-BASHKËSHORTI I PRINCESHËS