Pas sulmit terrorist në Barcelonë e alarmit të rrezikut terrorist në të gjithë Europën, Italia ka shtuar masat e sigurisë në të gjithë territorin. Ministri i Brendshëm italian Marko Minnitti ka thirrur në një mbledhje të jashtëzakonshme Këshillin e Analizës Strategjike të Antiterorizmit ku morën pjesë krerët më të lartë të Policisë së Shtetit e të Shërbimit të Inteligjencës.

Ministri i Brendshëm italian ka kërkuar të mbahet lart niveli i vigjilencës duke forcuar në territor masat e sigurisë në mbrojtje të objekteve më në rrezik e në vendet ku regjistrohet një pjesëmarrje e grumbullim i madh njerëzish. Një monitorim i kujdesshëm do t’i kushtohet eventeve kulturore e artistike të programuara gjatë ditëve në vijim. Një qarkore e Ministrisë së Brendshme me të gjitha orientimet përkatëse i është shpërndarë Prefektëve e kryetarëve të Bashkive të cilët duhet të koordinojnë punën në sinergji të plotë me policinë lokale. Ndaj të gjithë personelit të forcave të rendit është kërkuar që armën e shërbimit ta mbajnë përherë me vete dhe kur nuk janë në orar detyre. Në qytetet kryesore italiane janë shtuar kontrollet me metal detector dhe pranë zonave e shesheve historike janë vendosur barrikada cimentoje për të ndaluar hyrjen e automjeteve.

Mjaft rrugë kryesore të qyteteve italiane janë konsideruar “zona të kuqe me rrezik të lartë terrorizmi” e po punohet për të gjetur zgjidhjen e evitimit të atentateve të mundshme. Në qëndrën historike të Romës është ndaluar qarkullimi i automjeteve të marra me qera e është kërkuar një bashkëpunim mes policisë së shtetit me shoqëritë sipërmarrëse që administrojnë këtë tip aktiviteti. Masa të larta sigurie janë vendosur gjatë orëve të fundit dhe në qytetin e Venecias ku pritet të nis prej 30 gushtit deri më 9 shtator, Festivali i 74 i Ndërkombëtar i Filmit. Janë shtuar telekamerat në rrugët e Venecias, zonat e filtrimit të personave e postoblloqet e kontrolllit të auotmjeteve. Barrikada të fiksuara por dhe lëvizëse janë vendosur përgjatë gjithë rrugës buzë detit e është shtuar patrullimi i rrugës detare.

Alarmi i sigurisë të rrezikut terrorist në Itali vazhdon të jetë në nivelin 2 dhe pse masat e sigurisë pas atentatit të Barcelonës janë rritur shumë. Për mediat, Ministria e Brendshme italiane informon se ka kërkuar një vigjilencë maksimale në të gjithë vendin e vecanërisht ndaj objekteve më strategjike si seli institucionale, ambasada, monumente historike e fetare, stacione hekurudhore, porte e aeroporte.

Artikulli paraprakKOSOVA, ENDE PA QEVERI
Artikulli tjetërSHULLANI: AZIL NGA VARFERIA, JO GJAKMARRJA!