Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako është takuar me drejtorët e policisë në qarqe për ngritjen e një Task-Force në çdo qark për hetim dhe sekuestro të pasurive kriminale.

Në këtë takim ai kërkoi angazhim maksimal për luftën ndaj paligjshmërisë dhe dhunës në familje. Në këtë fazë, sipas Çakos, detyra kryesore e policisë është hetimi i veprimtarisë së grupeve kriminale që organizojnë kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Gjithashtu, sekuestrimi i aseteve që ata kanë krijuar, si rezultat i kësaj veprimtarie kriminale, si pasuri të paluajtshme, ndërtesa, toka, makina, hotele, motele, lokale, investime të ndryshme në shoqëri biznesi, etj.

Duke u lënë drejtuesve lokalë porositë e kryeministrit Rama gjatë takimit të Task – Forcën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit e të trafikimit të lëndëve narkotike, Çako kërkoi që në çdo qark të evidentohen, kontrollohen dhe të goditen të gjithë personat me precedentë kriminalë, elementët shqetësues të rendit dhe sigurisë publike, të cilët me veprimet e tyre cënojnë rendin publik, duke krijuar një impakt negativ në qarkullimin rrugor, mjediset publike, në shkolla e universitete.

Një rëndësi të veçantë për policinë e shtetit ka dhe dhuna në familje, referuar dhe rastit tragjik ku një gjykatëse u vra nga ish bashkëshorti. Përsa i përket strukturave policore ai ka kërkuar disiplinë në punë, integritet të punonjësve, dhe identifikimin dhe goditjen e të inkriminuarve brenda radhëve. Ai tha se vetting do të ketë edhe në policinë e shtetit.

Artikulli paraprakARSIMI PROFESIONAL, PUNËSIM JASHTË VENDIT
Artikulli tjetërFESTA E KURBAN BAJRAMIT NË BUSHAT