Akuzat për njërin prej negociatorëve shqiptarë në marrëveshjen e detit me Greqinë, Artur Meçollarin kanë nxitur deputetët e opozitës të kërkojnë një dëgjesë me disa prej drejtuesve të institucioneve që lidhen me Forcat e Armatosura.

Ditën e martë me datë 6.3.2018, ora 10:00, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, me kërkesë të 1/4 së deputetëve të opozitës, në zbatim të neni 32 dhe 36 të Rregullores së Kuvendit, do të zhvillojë seancë dëgjimore me Ministrin e Mbrojtjes; Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura dhe Drejtorin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë.

Seanca do të ketë këtë rend dite:
1. Praktika e ndjekur dhe procedura e plotë e propozimit të Z.Artur Meçollari si pjesë e grupit negociator për Marrëveshjen e Detit me Greqinë;
2. Informacionet që disponojnë këto autoritete mbi integritetin e këtij individi duke përfshirë arsyet e përjashtimit të tij të mëparshëm nga Forcat e Armatosura.

Partia Demokratike e kishte kërkuar seancën më 2 mars por Kuvendi ka vendosur dëgjesën më 6 mars.

Deputetët demokratë kërkuan të thirren në komisionin e sigurisë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë kolonel Bardhyl Nuredini, si dhe Shefi i Shtabit të FA-ve, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku.

Oficer i FA-ve, Meçollari u akuzua nga ish-kryeministri Sali Berisha si agjent i shërbimeve të huaja.

Artikulli paraprakRAPORTIMI NË KUVEND? META DREJT NDRYSHIMIT TË QËNDRIMIT
Artikulli tjetërJUNCKER: NUK DHASHË DATË PËR SHQIPËRINË, DUHEN PËRPARIME SUBSTANCIALE