Davide dhe Luiza janë një çift italo-shqiptar të cilët kanë braktisur Italinë duke ardhur në Shkodër.

Davide Malinarich nga Genova dhe Luiza Kolndreu nga Shkodra kurorëzuan dashurinë e tyre 8 vite më parë. Si zakonisht Luiza shkoi në Itali tek bashkëshorti. Pamundësia për të vijuar më tutje ka bërë që të lënë shtetin italian duke u vendosur në Shkodër teksa kanë hapur një bar të tyrin. Davide shprehet se ndjehet mirë në Shkodër. “Ndjehem mirë që kam ardhur në Shkodër.

Në Itali është shumë e vështirë për biznes. Kemi patur një lokal atje por tashmë ka shumë taksa, s’ka kohë për të pritur asgjë dhe jetesa atje është bërë shumë e vrullshme. Fillimisht kemi patur vështirësi në Shkodër por tashmë jemi të kënaqur. Këtu është më mirë dhe nuk jam vetëm unë, shumë italian po largohen nga Italia. Kam ardhur për të investuar këtu dhe besoj se s’do të kthehem më në Itali. Shkodra më pëlqen shumë sepse ka një stil të veçantë. Jemi munduar të sjellim përmes këtij bari diçka të re që mungon dhe shoh që po rezulton me sukses. Italia dhe Shqiqëria janë afër por ndryshojnë shumë.

Këtu ke më shumë kohë dhe të mendohesh më gjatë ndërsa në Itali jo. Jeni një popull i mirë dhe po ambjentohem. Shpresoj që të bëj edhe pasaportën shqiptare sepse më pëlqen”. Luiza, bashkëshortja e Davide me të cilin ka edhe dy vajza shprehet se është rikthyer në qytetin e saj duke lënë Italinë sepse sheh një zhvillim pozitiv në Shkodër. Ka edhe disa këshilla për të rinjtë. Davide dhe Luiza nuk janë të vetmit sepse shumë çifte po lënë vende të ndryshme të Europës për të investuar në Shqipëri por edhe në Shkodër. Natyrisht një paradoks ky teksa pjesa më e madhe, kryesisht të rinjtë shqiptar objektiv të vetëm kanë emigrimin.

Artikulli paraprakNDËRPRERJA E MËSIMIT, GATI ZËVENDËSIMI I ORËVE
Artikulli tjetërHARROHET 14 JANARI, E KUJTOJNË VEÇ ORGANIZATORËT