Prej orës 10:00 po vijon seanca plenare e Kuvendit. Shumica socialiste në Kuvendin e Shqipërisë pritet që t’i rrëzojë Presidentit Ilir Meta në seancën e sotme plenare tetë dekrete, shtatë që riktheu për shqyrtim dhe një për emërimin e Petraq Milos në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në listë janë ligji për koncesionet, kontratat për rrugët Milot – Balldren dhe Orikum – Llogara, Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat. Dekreti për rezervat materiale të shtetit është një tjetër ligj që e pret i njëjti fat, po ashtu edhe ai për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare, për vetëqeverisjen vendore dhe planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Të gjitha ligjet e kthyera për shqyrtim u rrëzuan më parë në komisionet parlamentare, ndërsa sot vulosen në seancën plenare.

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla duke iu përgjigjur Ralf Gjonit dhe Myslim Murrizit u shpreh se shumica nuk ka dashuri për Lulzim Bashën, por respekt për dialogun, ku ftoi sërish opozitën jo parlamentare për të qenë pjesë e tryezës së reformës zgjedhore.

“Zoti Murrizi ua kemi thënë kemi pasur vetëm një cështje kusht për reformën zgjedhore, votën e shqiptarëve jashtë. Paraardhësit tuaj nuk e duan, shpresoj që ju të jeni dakord me këtë cështje. Përsa i përket rekomandimeve të OSBE-së për një vend si Shqipëria që vitin tjetër drejton ka presidencën janë detyrim. Padyshim historikisht teksa janë bërë reforma zgjedhore është punuar në mënyrë koherente me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare.

Në rezultatet e zgjedhjeve të fundit, PD-LSI rezultojnë parti parlamentare, harroje ti se paskam dashuri për Lulzim Bashën, por kam respekt për dialogun politik gjithëpërfshirës. Në komisionin e reformës i është lënë edhe një karrige bosh PD-së për të ushtruar të drejtën e saj për propozime.

Nëse nuk duan, nuk do të thotë se reforma zgjedhore do të mbetet peng. Rudina Hajdari dhe Gjiknuri komunikojnë në mënyrë të vijueshme. Komisioni prej sot do të ketë edhe dy anëtar të tjerë, grupi i partive të djathta, zoti Alimadhi është propozuar nga grupi dhe zoti Shameti, një jurist i shquar, një vlerë për komisionin. Do të kemi një kod të ri zgjedhor pas këtij procesi” tha Balla.

Në seancën e radhës pritet që të rrëzohen dekretet e tjera, mes të cilave është ai për Akademinë e Shkencave që u rrëzua dje në Komisionin Parlamentar të Edukimit.

Ndërkohë që sot në rendin e ditës përpos dekreteve janë edhe pika të tjera të rëndësishme si miratimi i projektvendimit për zgjedhjen e Besnik Dervishit Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për emërimin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe të tjera.

Artikulli paraprakMAKINA E BLINDUAR ME TARGA RUSE PËRMBYSET TEK SHESHI “SHQIPONJA”, SHOFERI NË SPITAL
Artikulli tjetërPOLICIA NË LAZARAT, ARRESTON DY GRA DHE ZBULON 40 RRËNJË KANABIS