Rikthimi i vizave për Shqipërinë, është diçka e parealizueshme! Ky konfirmim vjen nga vetë deputetët holandez të Komisionit për çështjet e BE, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar me deputët e shqiptarë.

Në këtë seancë ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Rudina Hajdari dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Holandë Adia Sakiqi.

Ata janë shprehur të vetëdijshëm se një gjë e tillë, nuk mund të realizohet, por e interpretuan si një veprim sensibilizues për nxitjen e luftës kundër krimit.

Kjo seancë dëgjimorë u vlerësua nga Kryetari i Komisionit Weldman si e hapur dhe mjaft e dobishme për vazhdimin e dialogut dhe për të informuar mbi përpjekjet reale që po bën Shqipërisë për realizimin e prioriteteve kyçe të integrimit dhe meritimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Deputetet e Komisionit kërkuan vlerësimin e delegacionit shqiptar nëse është apo jo gati Shqipëria për hapjen e negociatave. “Po, Shqipëria është gati për çeljen e negociatave në qershor sepse i ka bërë në mënyrë shembullore detyrat e saj të shtëpisë.

Me reformën në drejtësi, si kryereforma e integrimit, Shqipëria ka dhënë një shembull jo vetëm për vendet aspirante, por edhe për vendet e BE-së.”, u përgjigj Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci.

Ndërsa Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Rudina Hajdari nënvizoi se “Si anëtare e NATO-s prej dhjetë vjetësh, Shqipëria është një faktor stabiliteti, sigurie e paqeje në rajon e më gjerë.

Hapja e negociatave është e rëndësishme për të mos braktisur orientimin dhe destinacionin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Jo vetëm Qeveria, por edhe opozita parlamentare mendon se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave në qershor. Hapja e negociatave do t’i japë impulse të reja bashkëpunimit të Shqipërisë me Holandën dhe vendet e BE-së në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.”

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla nënvizoi se “Ne politikanët dhe vendim-marrësit duhet të dallojmë përceptimin mediatik nga perceptimi real i njerëzve për kriminalitetin. Shqiptarët që punojnë e jetojnë në Holandë janë qytetarë normalë e dinjitozë, por demonizohen padrejtësisht nga media.

Kriminelët nuk kanë as ngjyrë, as atdhe. Ata duhet tí luftojmë bashkarisht dhe qeveritë dhe policitë e Shqipërisë dhe Holandës po bëjnë pikërisht këtë.”

Artikulli paraprakI RIU SHQIPTAR QË GJET I VDEKUR NË MAKINË LA PAS GRUAN SHTATZËNË DHE NJË FËMIJË
Artikulli tjetërNUK I MBAJNË KËMBËT, DY BOKSIERËT BIEN “KNOCK-OUT” NJËKOHËSISHT