Ngjarja që zbulua pak ditë më parë në Kavajë, ku një 14 vjeçare ishte abuzuar seksualisht nga 8 adoleshentë, ka ndodhur edhe më parë në 2013-ën në Lezhë, por nuk është bërë asgjë në këto 5 vjet për të parandaluar përsëritjen e episodeve të tilla.

Kështu u shpreh Mirela Arqimandriti, drejtoreshë e Aleancës Gjinore për Zhvillim ndërsa prezantoi gjetjet e një studimi të kryer nga “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas” me titull “Dhuna në marrëdhëniet intime në adoleshencë” sipas të cilit 22 % e të rinjve në Shqipëri kanë përjetuar dhunë në marrëdhëniet intime, ku vajzat dhunohen fizikisht 3 herë më shumë se djemtë.

“Ngjarja që ndodhi në Kavajë, ka ndodhur në 2013-ën në Lezhë, është e njëjta histori. Dhe nuk është bërë asgjë nga 2013 deri në 2019 që këto ngjarje të parandalohen në shkolla. Nuk ka në asnjë shkollë një poster të madh ku shkruhet numri i emergjencës për fëmijët, që është gjëja më e thjeshtë e mundhshme.

Dhe ku të tregojë disa pika kryesore nga të drejtat dhe detyrimet që kanë nxënësit nga një moshë e caktuar penale se si ata shumë shpejt mund të futen në krim, se si kjo u shkatërron jetën e tyre” tha Mirela Arqimandriti, drejtoreshë e GADC.

Ajo çka është problematike, sipas këtij studimi, është se gjysma e adoleshentëve thonë se nuk kanë kujt ti tregojnë në rast se janë viktimë e një dhunimi psikologjik, fizik apo seksual. 77 % e tyre madje thonë se nuk flasin asnjëherë apo shumë rrallë me prindërit për marrëdhëniet intime, ndërsa vihet re një besim i ulët tek mësuesit.

E pranishme në prezantimin e studimit të Rrjetit të Fuqizimit të Gruas, ishte dhe Etleva Sheshi, përgjegjëse Sektori në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila theksoi një sërë masash që janë marrë nga qeveria,

ku më e fundit një nismë për të ofruar të gjitha shërbimet personave që janë viktimë e dhunës seksuale dhe veçanërisht viktimave të përdhunimit. Sipas studimit të Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri,

shumica dërrmuese (89%) e të rinjve 16-19 vjeçarë e konsiderojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave një problem serioz në komunitetin ku jetojnë dhe 75 % e tyre besojnë se dhuna me bazë gjinore ka si shkaktarë kryesorë përdorimin e alkoolit dhe drogës.

Artikulli paraprakPOLICIA KAP KORRIERIN SHQIPTAR TË DROGËS ME 130 MIJË EURO KOKAINË
Artikulli tjetërZYRTARIZOHET VENDI I TRETË NË BOTËRORIN E SHBA PËR ERKAND QERIMAJN