Tre infermiereve të akuzuara për dhunimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Aurona Pelaj, A.R dhe R.K, në bashkëpunim me njëra tjetrën akuzohen për veprën penale ‘sulmi’.

Gjyqtari i procedurës paraprake, në vlerësim të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurave konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende.

Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurave në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to.

Gjykata tha se vlerësoi edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të lehtë ndaj të pandehurave, mirëpo gjeti se masat e tjera të parapara me ligj si masa më të buta se masa e paraburgimit, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal, të suksesshëm dhe të papenguar të procedurës penale.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakVRANËSIRA DHE RESHJE SHIU, PARASHIKIMI MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërBBC PËR EMIGRANTËT: QYTETET RRETH TIRANËS JANË ZBRAZUR. MUNDËSIA EKONOMIKE, SHTYTËSI KRYESOR