Diaspora shqiptare i është drejtuar me një letër publike krerëve të politikës shqiptare dhe ambasadorëve kryesor në vend, duke iu kërkuar që të jetë pjesë e procesit zgjedhor në vitin 2021, si dhe të ketë të drejtë vote.

Mes të tjerash, në letër thuhet se “Për ne si Diasporë, vota e Emigrantëve dhe siguria e saj, mbetet prioriteti numër një e në këtë kuadër, vetëofrojmë ekspertizën tonë për konsultim si grup interesi i prekur drejtëpërdrejtë nga ky proces”. Ja se çfarë thuhet në letrën e plotë të diasporës shqiptare:

“Me keqardhje konstatojmë se çështja delikate e modaliteteve të votimit të më shumë se 1.6 Milione shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, nuk u perfshi në kodin elektoral por iu kalua Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Për më tepër, mungesa e veprimeve konkrete gjate muajit Gusht 2020 na krijon shqetësimin që kjo e drejtë kushtetuese mund të mos mundësohet për Votimet e Vitit 2021.

Lidhur me sa më lart, duam t’ju bëjmë me dije se Diaspora nuk do të pranojë asnjë alibi përsa i përket kohës në dispozicion për hartimin dhe aprovimin e modaliteteve të votimit të Diasporës. Ju rikujtojmë se mundësimi i këtij votimi ka qënë pjesë e premtimeve gjatë e pas fushatave elektorale dhe politika shqiptare ka pasur një kohë mëse të mjaftueshme për ta bërë realitet votën e emigrantëve për zgjedhjet e 2021.

Mosmbajtja e këtij premtimi nga ana e aktorëve të rëndësishëm politikë, vetëm se do të nxjerrë në pah mungesën e vullnetit të tyre për mundësimin e kësaj vote të rëndësishme dhe të pakompromentueshme nga asnjera palë. Duke qenë se KQZ do të ketë një strukturë të re dhe kjo do të kërkojë kohën e vet, ne kerkojmë që vota e emigrantëve të jetë një nga çështjet kryesore të axhendës së këtij organizmi, që nga momenti i krijimit.

Për ne si Diasporë, vota e Emigrantëve dhe siguria e saj, mbetet prioriteti numër një e në këtë kuadër, vetëofrojmë ekspertizën tonë për konsultim si grup interesi i prekur drejtëpërdrejtë nga ky proces.

Përveç mundësimit të menjëhershëm të Votës, ne kërkojmë gjithashtu: Përfaqesimin direkt të Diasporës në Parlamentin e ardhshëm, Përfshirjen e Lëvizjes ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë‘ në procesin konsultativ të KQZ-së me grupet e interesit si dhe të jemi pjesë monitoruese e procesit të regjistrimit, të votimit dhe numërimit të votes”, përfundon letra e diasporës shqiptare.

Artikulli paraprakMINISTRJA SHAHINI: LËVIZJET NË SHKOLLA VETËM ME MASKË
Artikulli tjetërKLUBET E FUTBOLLIT-QEVERISË: BOJKOT KAMPIONATIT, 4 KËRKESA