Ipeshkvi i dioqezës së Sapës dom Luçjan Avgustini pas disa analizave në një spital në Itali rezulton se ka probleme shëndetësore.

Në trurin e tij janë vënë re një masë qelizash të formuara dhe të zhvilluara në mënyrë të parregullt. Dioqeza e Sapës ka bërë edhe njoftimin e saj zyrtar për këtë problem shëndetësor të rëndë për ipeshkvin e Sapës dom Luçjan Avgusitini. “Pas disa shqetësimeve shëndetësore, në fundin e muajit shkurt Bariu i Dioqezës së Sapës imzot Luçjan Avgustini, i është nënshtruar analizave specifike në spitalin “Gemelli” në Romë, për të parë shkakun e tyre. Nga analizat e kryera, neurokirurgët e këtij spitali përmes një “ago biopsie me akses transfrontal majtas” kanë vënë re një masë qelizash të formuara dhe të zhvilluara në mënyrë krejtësisht të parregullt në tru”-thuhet në njoftimin zyrtar teksa bëhet e ditur se nuk lejohet ndërhyrja kirurgjikale. “Vendi, ku ndodhen këto qeliza të parregullta është i atillë saqë nuk lejon asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Aktualisht gjendja shëndetësore e tij është nën kontrollin e mjekëve të këtij spitali të cilët janë duke përgatitur edhe terapinë e mundshme për bllokimin e këtyre qelizave. Terapia që do të ndiqet është ajo që, në këto raste rëndom përdoret sikurse radioterapia. Dioqeza e Sapës, kleri, besimtarët si dhe familjarët e imzot Avgustinit, i falenderojnë të gjithë njerëzit që përmes rrugëve të ndryshme kanë shprehur afërsinë e tyre duke i uruar atij shërimin dhe kthimin sa më të shpejtë”-vijon më tej njoftimi. Dioqeza e Sapës fton besimtarët që me 25 prill të luten për shërimin e dom Luçjan Avgustinit. “Me këtë rast nga data 17 prill 2016, në mbarë territorin e dioqezës nga të gjithë besimtarët, ngjitet drejt Zotit, i cili gjithçka mundet, lutja e nëntëditëshes kushtuar Nënë Terezës. Në mbarim të kësaj nëntëditësheje, me 25 prill 2016, ditën e festës së Shën Markut, Pajtorit të Dioqezës, si një zë i pareshtur lutjeje, në një adhurim 24 orësh të pandërprerë, i kemi ftuar të gjithë besimtarët që ta kushtojnë njetin e tyre për t’i kërkuar Atit të Lum shërimin e kësaj ligësie nga trupi i bariut tonë. Të bashkuar në lutje! Vikari i përgjithshëm dom Simon Kulli”-përfundon njoftimi zyrtar i dioqezës së Sapës.

/ Star Plus TV /

Artikulli paraprakZGJEDHJET NË USH, KRONI: JANË MARRË TË GJITHA MASAT E DUHURA
Artikulli tjetërOPERACIONI “LUX”, ARRESTOHET TRAFIKUESI I MJETEVE MOTORIKE