1 shtatori përkon me ditën e Komunës Shqiptare të Tuzit në Malin e Zi. Për herë të parë pas shumë vitesh në Tuz partitë shqiptare u bashkuan duke bërë që Nikë Gjeloshaj të shpallet kryetar në zgjedhjet e para vendore të Tuzit si komunë e pavarur.

Një vit pas këtij momenti historik festohet Dita e Komunës së Tuzit. Në kuadër të kësaj dite, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar një letër përshëndetjeje Kryetarit të Kuvendit, Fadil Kajoshaj, Kryetarit të Komunës, Nik Gjeloshaj, dhe banorëve të Tuzit.

Ruçi thotë ndër të tjera se Dita e Komunës së Tuzit, e rëndësishme për shqiptarinë pasi është, komunë më vete e mundësi prosperiteti. Letra përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit u lexua në ceremoninë festive dhe iu dorëzua autoriteteve nga deputeti Paulin Sterkaj. Ja se çfarë shkruan Ruçi në këtë letër të tij..

“Ju falenderoj nga zemra për për ftesën që më kini dërguar për të marrë pjesë në kremtimin e Ditës së Komunës së Tuzit. Do të dëshiroja shumë të gëzoja bashkë me Ju në këtë ditë të rëndësishme për Komunën e Tuzit si edhe për shqiptarët në Malin e Zi. Por për arsye pune, kundër dëshirës sime, e kam të pamundur të marrë pjesë në këtë solemnitet të rëndësishëm.

1 shtatori, dita e shpalljes së Komunës së Tuzit si komunë më vete, është një ditë e shënuar jo vetëm për banorët e Tuzit dhe shqiptarët në Malin e Zi, por për të gjithë shqiptarinë. Ky status ju krijon mundësi më të mëdha për vendimmarrje, politika e shërbime më të mira për qytetarët, të cilët ju kanë zgjedhur tu shërbeni.

Jam i bindur se ju keni filluar dhe do të vazhdoni ta shfrytëzoni këtë status si një mundësi më shumë në të mirë të qytetarëve si edhe të bashkëpunimit me bashkitë dhe institucionet e Shqipërisë.

Kuvendi i Shqipërisë ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për fuqizimin e bashkëpunimit parlamentar dhe qeveritar me Republikën e Malit të Zi, për zgjerimin e bashkëpunimit me këtë vend fqinj dhe mik në të gjitha fushat.

Marrëdhëniet tona shumë të mira dypalëshe janë një mbështetje edhe për zhvillimin, mirëqenien dhe prosperitetin e Komunës së Tuzit si edhe të komunitetit shqiptar që jeton në Republikën e Malit të Zi.

Përshëndetjet e mia më të ngrohta me rastin e Ditës së Komunës së Tuzit dhe suksese në punën e mbarësi në familjet tuaja”.

Artikulli paraprakSËMUNDJET PROFESIONALE, SHQIPËRIA PA STATISTIKA
Artikulli tjetër“SHKODRA JAZZ FESTIVAL”, KONCERTI ME “ALBORAN TRIO”