Kush nuk ka qeshur me 4 parodistët e Vlorës…që tashmë, prej ditës së djeshme mbetën 3! Nuk kanë lot të përshkruajnë dhimbjen që u jep humbja e kolegut të tyre prej më shumë se 4 dekadash në skenë më të. Muhamet Lika, një nga katër Parodistët e Vlorës, u shua ditën e djeshme pas një ataku kardiak në Itali ku kishte shkuar për kurim nga zemra.

Në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë, skenën ku ai u duartrokit për herë të fundit vetëm disa ditë më parë, kolegët e tij, parodistët Afrim Agalliu, Agron Hamo dhe Mane Lumani, së bashku me artistë të tjerë të Teatrit, u mblodhën për të nisur ditën e tyre të punës, që ndryshe nga çdo radhë tjetër, i gjen pa Metin, siç ata e thërrisnin.

I sheh të qajnë dhe të mos gjejnë dot forcën të flasin para gazetarëve që duan tu rrëmbejnë disa nga kujtimet më të veçanta të tyre me Muhamet Likën.

“Është shumë e trishtë. Nuk mund të flas”, shprehet Agron Hamo teksa mundohet t’i japë forcë dhe kurajë kolegut tjetër të tij, Afrim Agalliu, i cili nuk mundet të mbajë veten nga lotët.

Duhej të ishte një ditë e zakonshme pune në teatrin “Petro Marko”, por të gjithë i sheh të përlotur e njëkohësisht të heshtur nga dhimbja për humbjen e papritur, dhe për disa ende të pabesueshme, të Muhamet Likës, në moshën 64-vjeçare.

“Iku për kontrollin e zakonshëm dhe më tha drejtor do të jem këtu para sezonit turistik. Na la një boshllëk të gjithëve, është e pabesueshme. Ishim mësuar të mblidheshim çdo ditë por sot ndjejmë një mungesë të madhe. Uronim që lajmi mos të ishte i vërtetë por në fund zemra e Metit pushoi së rrahuri duke lënë një boshllëk të madh”, shprehet Dhimitraq Furxhi, drejtor i Teatrit “Petro Marko”.

Kujtimet që ky grup ka, janë të pafundme. Aq sa, askush nuk mund të mendojë se tashmë ata do të jenë tre.

“Meti ka qenë një pjesë e veçantë e këtij arti, ka qenë një shkëlqim në gjithë këtë qytet rrezatues. Nuk mund ta konceptojmë atë katërshen brilante të parodistëve. Do të jenë gjithmonë 4, do të jetë përherë i pranishëm”, shprehet Genc Demiraj, pjesë e teatrit të Vlorës.

Kompozitori i parodive të rralla që preknin plagët sociale të shoqërisë shqiptare e quan Metin notën e domosdoshme të ansamblit.

“Meti ishte i veçantë na ka prerë krahët, ishte nota e domosdoshme e këtij ansambli, Kujtime të paharruara në skenë, në punë, studio na ka dhënë mbresa dhe emocione që nuk i harroj kurrë. Ai ishte korrektori që më bënte mua të isha shumë i kujdesshëm kur i tregoja një produksion”, shprehet kompozitori Artur Dhamo.

Muhamet Lika numëron qindra role në skenën e humorit me një aktivitet 41- vjecar në skenë.

Lika mban shumë tituj dhe çmime për artin që ka transmetuar tek njerëzit, ndërsa së fundmi është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”. Lika la pas dy fëmijë dhe gruan e tij.

Ndarja nga jeta e Muhamet Likës është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare.

Artikulli paraprakPARTIA SOCIALISTE PUBLIKON SLOGANIN NJË DITË PARA ÇELJES SË FUSHATËS ZGJEDHORE
Artikulli tjetër“DËGJOJE ZËRIN TIM”