Zgjaten me tre muaj hetimet për dosjen 184, që lidhet me krimet zgjedhore në bashkinë e Dibrës në shtator të 2016.

Pas transferimit nga Krimet e Rënda në Dibër, dy prokurorët e kësaj prokurorie Rifat Kojku dhe Belina Zeneli brenda datës 11 shtator 2019 duhet patjetër ti komunikonin akuzat dhe të merrnin të pandehur personat përgjegjës që janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe më konkretisht Arben Keshi, Robert Aga, Drini Gjeçi, Bekim Krashi, Pjerin Ndreu.

Të gjithë këta persona dalin në përgjimet e kryera nga prokuroria, duke abuzuar me detyrën e tyre, ushtruar ndikim të paligjshëm tek zyrtarët e tjerë, me qëllim marrjen e votave. Ish-deputeti Ndreu që aktualisht ka marrë drejtimin e bashkisë së Lezhës, dyshohet se me telefonatën që ka kryer me drejtorin rajonal të arsimit në Dibër Drini Gjeçi, dyshohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj zyrtarëve publikë.

Por roli i Ndreut mbetet për tu vlerësuar nga prokuroria e Dibrës, gjatë këtyre ditëve në vijim.

Dosja penale që flet për shpërndarjen e parave në qarkun e Dibrës me qëllim blerjen e votave për subjektin politik Partia Socialiste dhe kandidatin e bashkisë Muharrem Rama, në datën 11 shtator mbush tre vjet nga regjistrimi i saj si çështje penale. Por ajo që shihet me skepticizëm tashmë, është se biznesmeni Ymer Lala, që shfaqet në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk mund të merret i pandehur, pasi akuza e “Korrupsionit zgjedhor”, sipas burimeve ka rënë, pasi është parashkruar për shkak të afatit dyvjeçar.

Këtyre akuzave mësohet se i shpëton dhe ish-ministri Damian Gjiknuri. Dosja me nr.184 është një nga çështjet më të nxehta të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila u mbajt për tre vite të Krimet e Rënda dhe në fund çështja u transferua në vendin e krimit, në Dibër, për shkak se Krimet e Rënda nuk provuan gjatë tre viteve akuzën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Në këto kushte prokurorët e krimeve të rënda shpallën moskopetencën dhe dërguan dosjen për hetime të mëtejshme në Dibër.

Artikulli paraprakPËRPLASEN 3 MAKINA,,VDESIN KATER PERSONA,2 TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërKAPET PAS 35 VJETËSH RRËMBYES I FLUTURIMIT 847 I TRANS WORLD