Vazhdon ping-pongu me dosjen e famshme “184”. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK e ka kthyer sërish në prokurorinë e Dibrës këtë çështje.

Burimet bëjnë me dije se me datë 22 janar të këtij viti, Prokuroria Dibër ka shpallur moskompetencën dhe i ka dërguar aktet te SPAK.

Por vetëm 5 ditë më pas, me 27 janar, SPAK ka vendosur mospranimin e akteve dhe ridërgimin e dosjes në Dibër.
Dosja “184” bën fjalë për manipulimet e zgjedhjeve në Dibër në votimet e shtatorit 2016 për kryetarin e bashkisë.

Procedimi është regjistruar në hetim për veprat “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Hetimet për zgjedhjet në Dibër filluan me kallëzim të Partisë Demokratike në datën 6 shtator 2016. Gjatë përgjimeve një javore të kryera nga prokuroria u interceptuan biseda mes zyrtarëve lokalë të policisë dhe drejtorisë arsimore por edhe deputetëve të PS që organizonin njerëz për të votuar kandidatin e PS Muharrem Rama, i cili rezultoi fitues përballë kandidatit demokrat Sherefedin Shehu.

Dosja “184” u rikthye në qendër të vëmendjes pasi gazeta gjermane “Bild” publikoi pjesë nga përgjimet ku mes zyrtarëve të regjistruar ishte edhe kryeministri Edi Rama që përgëzonte stafin e PS në Dibër për rezultatin e arritur.

Artikulli paraprakVRAU ÇIFTIN PËR PRISHJEN E NJË MURI, BURG TË PËRJETSHËM PËR AUTORIN
Artikulli tjetërPLAGOSI NËNËN DHE U SHTRUA NË SPITAL PSIKIATRIK, PACIENT NË BURG PREJ 20 VJETËSH