Ende pa u mbyllur mirë faza e parë, Vllaznia ka konfirmuar edhe dështimin e rradhës në merkaton e verës. Një nga futbollistët, i cili u trumbetua me forcë që do të ishte një nga zëvendësuesit e denjë të ish-kapitenit Erdenis Gurishta në krahun e djathtë të mbrojtjes, ka rezultuar i padobishëm për klubin. Kështu, bëhet fjalë për mbrojtësin Redon Dragoshi, me të cilin Vllaznia firmosi në fundin e qershorit një kontratë tre-vjeçare, por që sipas burimeve të “Star Plus” tashmë atij i është kërkuar largimi nga skuadra.

Ai është aktivizuar në disa prej ndeshjeve të kampionatit, si edhe mori disa minuta në takimet europiane, por pa bindur askënd, teksa edhe në duelin ndaj Egnatias, e la ekipin e tij me 10-futbollistë që nga minuta e 17-të. Në këto rrethana, drejtuesit e Vllaznisë mesa duket kanë vendosur që të ndërpresin kontratën me të. Megjithatë, vetë Dragoshi nuk e ka pranuar një gjë të tillë.

Palët nuk kanë gjetur dakordësinë për të ndërprerë kontratën, me klubin që ka marrë vendimin për ta lënë jashtë ekipit të parë dhe për ta dërguar tek skuadra e U-21, me të cilën luajti edhe në ndeshjen e kampionatit të tyre ndaj Kukësit, ku u aktivizua si zëvendësues. Fakt është që Redon Dragoshi nuk është i grumbulluar fare me ekipin e parë, por po stërvitet me Vllazninë U-21. Mbrojtësi, i cili ka edhe tre vite kontratë me kuqeblutë, në këtë situatë duket më pranë largimit sesa rikthimit në skuadër. I gjithë ky mënjanim nga drejtuesit e Vllaznisë kundrejt Dragoshit bën që largimi të jetë zgjidhja më e mundshme mes palëve.

Artikulli paraprakJENI DUKE IU PËRKUSHTUAR SHPIRT E TRUP DASHURISË, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT
Artikulli tjetërGRATË SHQIPTARE S’PO LINDIN MË FËMIJË, BIE INDEKSI I FERTILITETIT! SHQIPËRIA VENDI I TRETË NË EVROPË ME NORMËN MË TË ULËT TË LINDSHMËRISË