
Dy ngjarje të rënda janë regjistruar në qarkun e Shkodrës, njëra në fshatin Dobraç dhe tjetra në Bajzë të Malësisë së Madhe. Si pasojë e ngjarjeve, një 76-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa një tjetër person ka përfunduar në spital.
NJOFTIMI I POLICISË
Në Shkodër, në fshatin Dobraç, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij shtetasi S. S., 76 vjeç. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas është vetëdjegur, duke përdorur lëndë djegëse (benzinë), dhe, si pasojë e djegieve të marra, ka humbur jetën. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal Shkodër për ekzaminime të mëtejshme.
Gjithashtu, në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. L., 57 vjeç. Si pasojë, janë djegur orenditë shtëpiake të një dhome dhe është asfiksuar pronari i banesës, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal Shkodër. Nga veprimet hetimore dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht.


