
Ish-zëvendës kryeministrja Belinda Balluku dhe avokati i saj Ardian Kalia janë paraqitur mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:30 në SPAK. Balluku është thirrur në SPAK që t’i komunikohet mbyllja e hetimeve. Së shpejti dosja do të transferohet në Gjykatën e Posaçme.
Balluku do të duhet të përgjigjet para drejtësisë për 15 episode krimesh të rënda, që nisin nga shkelja në 9 tendera e deri te korrupsioni e pastrimi i parave. Mbi ish-zv.kryeministren rëndojnë 5 akuza, dy prej të cilave për ‘korrupsion’, ‘shkelje e barazisë në tendera’, ‘pastrim parash’ dhe ‘fshehje pasurie’.
Nëntë tenderat e paracaktuar kapin vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove, ku përfshihet ati i ndërtimit të Tunelit të Llogorasë që me kursin e sotëm është 200 mln euro, 7 lotët e Unazës së Madhe të Tiranës, dhe së fundmi ai i bërë që në kohën kur Belinda Balluku ishte drejtoreshë në Albcontrol, kur e paracaktoi fituesin që bëri punimet 1.1 mln euro në godinën teknologjike të këtij institucioni.
Për këtë tender që u zbulua së fundmi nga SPAK, në këmbim Balluku kërkoi dhe mori nga kompania fituese Eurocol e biznesmenit Pandeli Carapuli, një vilë në bregdetin e Jonit, në rezidencën “White Rocks”. Bëhet fjalë për një vilë dykatëshe tip Begonia, gjithsej 103m2, e rrethuar me një parcele toke jo më pak se 300 m2. Nën akuzën e pastrimit të parave për këtë episod u mor i pandehur edhe vetë Carapuli.


