Ekzekutohet në lokalin e tij në Strugë ish i dënuari për prostitucion Dilaver Bojku.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:45 të së hënës së 14 gushtit 2017, kur ndaj tij është qëlluar me disa plumba në lokalin e tij Aqua Blue Sky. Mediat raportojnë se 57 vjeçari i njohur dhe me emrin Leku është qëlluar me disa plumba nga një person i vetëm, i cili është larguar me motoçikletë, duke i shpëtuar dhe kërkimit të policisë. Dyshimet për ngjarjen janë ngritur mbi disa pista, si ato të hakmarrjes, por dhe të aktiviteteve të paligjshme. Kjo edhe për shkak se Bojku është një personazh i njohur për policinë e Strugës, por dhe për Interpol dhe FBI amerikane. Në vitin 2000, ndaj tij janë ngritur akuzat e para për prostitucion, por dhe për trafikun ilegal të klandestinëve drejt BE-së ku dyshohet se operonte në trafikun e qenieve njerëzore në linjën Ballkan-Evropë. Në shkurt të vitit 2003 ai arrestohet nga policia e Maqedonisë. Në atë kohë u zbuluan në klubet e tij dhjetëra vajza që kishin qëndruar ilegalisht në vend. Mediat raportojnë se Gjykata e Strugës e dënoi atë me 6 muaj burg për mbajtje të një femre pa dëshirën e saj. Pas apelimit të prokurorisë dënimi u rrit në 3 vjet, por më 20 qershor 2003 teksa transportohej nga një burgu me siguri të ulët, Bojko arrin të arratiset. Rreth dy javë pas kësaj ngjarje, ai arrestohet në Ulqin të Malit të Zi. Bojku kthehet në Maqedoni ku e vuan dënimin, ndërsa pas daljes nga burgu humb edhe nga fokusi i publikut dhe medieve.

Artikulli paraprakI DYSHUARI PËR VJEDHJEN E 8 MIJË EUROVE LEJOHET TË IKË NGA SHQIPËRIA
Artikulli tjetërGREQIA, QIPROJA DHE IZRAELI, PLAN KUNDËR DERDHJES SË MBETJEVE NË DET