Nga sot Erion Isai merr zyrtarisht detyrën si kryebashkiak i Kolonjës. Ditën e sotme u bë konstituimi i Këshillit Bashkiak të Kolonjës dhe betimi i kryetarit të ri të bashkisë, Erion Isai. Pas betimit, përmes një postimi në rrjtetet sociale, Isai u shpreh se privilegji i kësaj detyre nis me thirrje e krenarisë së të qenit kolonjar.

“Privilegji i detyrës, me thirrjen e krenarisë e të qenit Kolonjar! Faleminderit!”, shkruan Isai.

E pranishme ishte edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht zëdhënëse qeverisë, Elisa Spiropali. Spiropali tha se konstituimi i këshillit bashkiak të Kolonjës u bë nën hijen e fotove të Dhimitër Vangjelit.

“Nën hijen e fotove të hijshme dhe të shkuara të Dhimitër Vangjelit, bëmë konstituimin e Këshillit të ri Bashkiak të Kolonjës për të ardhmen po aq të hijshme. Forca Erion, Kolonja e meriton” deklaroi Spiropali.

Betimi i Isait në krye të Kolonjës u përshëndet edhe deputeti i PS-së Niko Peleshi. Ai u shpreh se entuziazmi i Erion Isait për të dëshmuar se ka ardhur koha e zhvillimit lokal është mbresëlënës.

“Mbresëlënës entuziazmi i Erion Isait për të dëshmuar se ka ardhur koha e lokalizmit të shëndetshëm, koha e komuniteteve dhe zhvillimit lokal. Punë të mbarë Erion”, shkruan Peleshi.

Artikulli paraprakKOLEGËT ME PUSHIME DHE JU NË PUNË? JA DISA MËNYRA PËR TA MENAXHUAR KËTË STRES
Artikulli tjetërSINDIKATË PËR MBROJTJEN E PUNONJËSVE NË CALL CENTER