Erjon Vucaj është shumë pranë rikthimit te Vllaznia.

“Stepja” e klubit duket se ka marrë fund. Drejtuesit i kanë kthyer përgjigje fantazistit dhe pritet që në fillmjavë ai të ulet për të mbyllur edhe detajet kontraktuale. Kujtojmë që shkodrani u telefonua menjëherë nga drejtuesit pasi shpalli “divorcin” me Laçin, por me kalimin e ditëve u duk se marrëveshja kishte ngecur diku. Edhe pse publikisht askush nuk dha një variant të qartë për këtë vonesë, gazeta mësoi se në klub po bënin llogari të tjera. Duke qenë se financat i kanë me “pikatore”, por mendonin që ndoshta paratë që do të shpenzonin për një tjetër mesfushor, t’i përdornin për ndonjë sulmues apo qendërmbrojtës. Por, kur dihen vlerat e Erjon Vucajt dhe mbi të gjitha fakti që Kukësi ka hyrë në negociata për të marrë shërbimet e tij, stafi teknik dhe drejtuesit bashkërisht kanë këmbëngulur për të “blinduar” ish-kapitenin e kurbinasve. Ata e kishin lënë edhe mesfushorin “pezull”, duke mos i dhënë përgjigje, por lajmet më të fundit që vijnë nga kampi kuqeblu janë më shumë se pozitive. Lojtari është njoftuar se të hënën ose maksimumi të martën do të ulen në bisedime konkrete për të mbyllur edhe kontratën. Për paratë sigurisht që është folur e megjithatë vetëm “e zeza mbi të bardhë” do të sillte zyrtarizimin. Dhe nëse Vucaj vishet kuqeblu, atëherë Armando Cungu do të ketë luksin e zgjedhjeve në mesfushë. Një repart i mbushur me “yje” dhe me talente, ndërsa kujtojmë që këtë verë janë rikthyer edhe Gilman Lika me Edon Hasanin. Ky fakt jo vetëm që do të shtonte konkurrencën, por edhe cilësinë në organikë, pasi “lufta” për një vend titullari do të jetë e ashpër. Ajo që shton shanset për një marrëveshje vjen edhe prej vullnetit të vetë fantazisitt. Ish-lojtari i Tiranës, për motive familjare, preferon që këtë sezon të qëndrojë në vendlindje. Por, merkatoja shkodrane nuk mund të quhet e mbyllur. Trajneri pret të paktën edhe tri ndërhyrje. Veç portës dhe sulmit që dihen, synohet edhe një tjetër mbrojtës qendre.

Artikulli paraprakUJRAT E ZEZA SËMURIN PESHKUN E LIQENIT
Artikulli tjetërTRAFIKU “KRYEFJALË” NË SHKODËR