Ansi Agolli dhe Sokol Cikalleshi ishin dy lojtarët e kombëtares që dolën në konferencë për shtyp ditën e sotme.

Të dy futbollistët kanë treguar dëshirën e madhe për të vazhduar edhe më rrugëtimin për në “Euro 2016”. Agolli foli për emocionet që përjetoi si kapiten i skuadrës në këto dy ndeshje, si dhe për mbështetjen morale që i kishte dhënë Cana: “Kapiteni i skuadrës tonë është Loriku. Ai është një lider. Dua ta falënderoj sepse pavarësisht se nuk luajti në formacion na ka dhënë shumë mbështetje morale. Nuk i fsheh emocionet e dy ndeshjeve që kam qenë kapiten, pasi ka qenë përgjegjësi mjaft e madhe. Por, kemi një skuadër me djem mjaft të mirë që ia kanë bërë punën më të lehtë trajnerit dhe mua kur mbaja shiritin e kapitenit”. Ndërsa për mundësitë e kualifikimit mbrjotësi kuqezi : “Morali i skuadrës është mjaft i lartë. Po presim me padurim çfarë do të ndodhë. Shpresojmë të kemi fat, të luajmë edhe një ndeshje tjetër dhe të paraqitemi sa më mirë. Pas dy ndeshjeve të para pa fat, shpresoj shumë që do të kemi fatin, të luajmë edhe një ndeshje në Francë. E meritojmë me atë që kemi treguar në këto tre ndeshje të grupit. Dhe ndoshta meritojmë më shumë”-përfundoi Ansi Agolli. Edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi u shpreh i lumtur me faktin që kanë arritur një fitore e cila mund ti çojë më tej: “Në Kampionatin Europian, jemi për një objektiv madhor dhe nuk ka rëndësi nëse unë jam në fushë apo jo. Të gjithë ata që zbresin në fushë, janë lojtarët më në formë për momentin dhe njeriu i cili vendos për këto është trajneri”- sqaroi Sokol Cikalleshi.

Artikulli paraprak“EURO 2016”, POLONIA E MBYLL ME FITORE PËRBALLË UKRAINËS
Artikulli tjetërSHKODËR, ASGJËSOHEN 11810 RRËNJË KANABIS SATIVA