Xherdan Shaqiri ndez alarmin te Zvicra.
Edhe pse mendohej si një çështje e mbyllur pasi disa javë më parë mesfushori i mbylli derën Kosovës, situata ka ndryshuar. Çështja e shiritit të kapitenit që kaloi në krahun e Lichsteiner duket se po turbullon ujërat në grupin e drejtuar nga Petkovic. “Asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë në jetë”, iu përgjigj Shaqiri pyetjes së një gazetari zviceran nëse Kosova ishte ende në mendimet e tij. Nga qëndra stërvitore në Francë, 24-vjeçari i lindur në Gjilan theksoi se për momentin nuk ka asnjë kontakt. “Çfarë do të ndodhë nëse Kosova më premton shiritin e kapitenit? Nuk e di por do të mendohesha gjatë”, shton Shaqiri që i hedh benzinë zjarrit në një moment shumë delikat për të ardhmen e Kombëtares së Zvicrës pasi lojtarët shqiptarë përbëjnë bërthamën e skuadrës helvete. Sipas të përditshmes “Blick”, mesfushori i Stoke City është ende i nxehur me vendimin e Petkovic për t’ia besuar drejtimin e skuadrës në fushë mbrojtësit të Juventusit, Stephan Lichsteiner. “Të gjithë dëshirojnë të mbajnë shiritin e kapitenit dhe unë mendoj se nëse merret parasysh hierarkia, më takon që ta mbaj”, deklaroi disa javë me parë Shaqiri.