Frika nga dosjet,propozimi: Dënim politikanëve që shajnë prokurorët
Partia Demokratike ka propozuar ndryshimin e nenit 13 të ligjit të SPAK, nen i cili parashikonte instalimin e censurës së mediave në Shqipëri, duke kërcënuar me burg gazetarët, të cilët investonin apo mbanin qëndrime të papërshtatshme ndaj veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme. Megjithëse neni u tërhoq nga ekspertët dhe komisioni për Reformën në Drejtësi pas presionit të madh politik dhe mediatik, opozita ka propozuar një variant të saj. Sipas amendamentit të PD, politikanët dhe zyrtarët që fyejnë prokurorët apo ndërhyjnë në punën e tyre, mbajnë përgjegjësi sipas ligjit. Në variantin e PD, ashtu si në variantin e rishikuar të EURALIUS dhe OPDAT, janë hequr gazetarët dhe mediat si subjekte që mbajnë përgjegjësi penale për ndikim të papërshtatshëm në punën e prokurorëve. Konkretisht, amendamenti i PD parashikon që ndërhyrja, nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, në veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme apo të prokurorëve të posaçëm, ose bërja e komenteve fyese, kanosja apo ushtrimi i presionit, zyrtarisht apo në publik, e kryer nga një funksionar politik apo duke përdorur funksionin zyrtar, është e ndaluar dhe passjell përgjegjësi sipas ligjit. Varianti i mëparshëm, i cili u kundërshtua fort, parashikonte që çdo lloj influencë e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj.