Një 55-vjeçar, i sëmurë mendor është gjendur i vrarë në rrethimin e një banese në fshatin Shtoj i Ri, njësia Rrethina.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së dielës teksa shtetasi Nikë Bungu, 55 vjeç ka mbetur i vrarë në rrethimin e banesës së shtetasit Ndokë Vecaj, 76 vjeç. Ka qenë ora 2:00 e mëngjesit të së dielës kur në shtëpinë e 76 vjeçarit është futur një person. I zoti i shtëpisë ka paralajmëruar duke qëlluar dy herë në ajër me çiften e tij por shtetasi i evidentuar si Nikë Bungu ka vijuar duke ecur brenda rrethimit të shtëpisë edhe pse kishte marrë paralajmërim. Duke qenë se asgjë nuk është dalluar për shkak të errësirës 76 vjeçari Vecaj ka qëlluar në drejtim të 55-vjeçarit Bungu pa e patur idenë se kush mund të ishte. Nikë Bungu ka mbetur i vrarë në vend. Policia në njoftimin për mediat ka sqaruar mbi rrethanat e kësaj ngjarje. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shtetasi Nikë Bungu i cili vuante dhe merrte mjekim të rregullt për probleme mendore, ka hyrë tek rrethimi i shtëpisë së shtetasit Ndokë Vecaj në fshatij “Shtoj i Vjetër”. Pronari i banesës ka dëgjuar se dikush ka hyrë në rrethimin e banesës së tij dhe ka qëlluar dy herë me armë gjahu çifte në ajër. Më pas i zoti i banesës kur ka dëgjuar sërish lëvizje, në kushtet e errësirës, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Nikë Bungu 55 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme”, thuhet në njoftimin e policisë. Po ashtu sipas uniformave blu në vendngjarje në cilësinë e provës materiale është bllokuar një armë gjahu çifte me të cilën 76-vjeçari dyshohet se ka vrarë shtetasi Nikë Bungu. Në të njëjtën kohë pas veprimeve të para nga ekspertiza, shtetasi Ndokë Vecaj, 76 vjeç është arrestuar në flagrancë në banesën e tij. Policia po bën hetimet e plota për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Artikulli paraprakBarcelona blindon kreun me fitore minimale
Artikulli tjetërMINISTRI ÇUÇI: PO EVIDENTOJMË BORXHET NË ISH-KOMUNAT