Gjykata e Tiranës hodhi poshtë padinë për shpifje që Shkëlzen Berisha ngriti ndaj Taulant Ballës.

Deputeti socialist në një deklaratë për mediat tha se vendimi ishte një triumf i drejtësisë.

Taulant Balla: “Ky është një triumf i drejtësisë lidhur me një rast të rëndësishëm që qartëson edhe arsyet se pse Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi janë turrur për të penguar sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sepse gjykata sot vendosi që të rrëzojë poshtë një kallëzim të bërë nga i biri i Sali Berishës.

Në këtë vendim të arsyetuar të gjykatës ku konfirmohet qartë që Shkëlzen Berisha, gjatë kohës që babai i tij ka qenë kryeministër ka kryer evazion fiskal madje nuk ka paguar detyrimet tatimore të fitimeve marramendëse.
Këto nuk janë përgjime por janë prova kuptimplota sesi funksiononte regjimi asokohe dhe sesi pasuroheshin në kurriz të shqiptarëve.”

Gjyqi vazhdon – Ndërsa Shkëlzen Berisha, në një deklaratë për mediat, u shpreh se do apelojë vendimin derisa e vërteta të dalë në shesh.

Shkelzen Berisha: “Pse Taulant Balla nuk u dënua për herë të dytë në shpifje? Sepse keni parë denoncime publike që janë bërë për gjëra më të rënda se kaq, për udhëtimet e Taulant Ballës me trafikantë droge në destinacione të ndryshme të Evropës.

Këta trafikantë me tu kthyer në Shqipëri nga muaji i mjaltit me Taulant Ballën kanë përfituar mbi 6 milionë euro në mënyrë të paligjshme nga OSHEE në një kohë që nuk kishin të drejtë të merrnin pjesë në tendera se kanë qenë të dënuar për trafik droge. Prokuroria hesht për këto dosje. Prokuroria është e kapur nga fyti nga Taulant Balla dhe organizata kriminale e rilindjes.

Do vazhdoj të përballem me këtë betejë ligjore dhe jam i sigurt për këtë fitore.

Është vërtetuar përpara Gjykatës se janë paguar të gjitha tatimet. Vetë zyra e taksave nuk ka asnjë pretendim nga meje për taksa të papaguara. Është provuar nga vetë dokumenti që është vënë në dispozicion nga i akuzuari që kur ka bërë deklarimet del shumë qartë që e ka pasur të qartë, nga përgjigja e zyrës së tatim-taksave se Shkëlzen Berisha i ka paguar 15 milionë lekë taksa.

Ka qenë në dijeni se ka bërë deklarim të rremë kur deklaroi se nuk kam paguar asnjë tatim-taksë.

Kjo është betejë do vazhdojë në gjykatë të Apelit dhe më tutje. Kur njerëzit duhet të akuzohen për marrëdhënie me trafikantë droge, për vjedhje të fondeve publike me trafikantë droge, akuzat për shpifje janë gjërat më të parëndësishme.

Vendimin do ta apeloj. Dhe pas apelimit do ndjek çdo shkallë ligjore derisa e vërteta të dalë në shesh.”

Artikulli paraprakRAMA NESËR NË SHKODËR, PD BËN GATI PROTESTAT
Artikulli tjetërSHOQËROHET NË KOMISARIAT ISH-DEPUTETJA E PD, DHURATA ÇUPI