Pas një beteje disa mujore në seancat gjyqësore Albana Llazani, ish-drejtorja e shtëpisë së fëmijës shkollore 6-18 vjeç në Shkodër ka arritur që të fitojë lirinë bashkë me dy ish-punonjëset e tjera Najada Rramolli dhe Rafaela Camaj.

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Albana Llazanin, Najada Rramollin dhe Rafaela Camaj duke i lehtësuar nga “arrest shtëpie” që kishte dhënë gjykata e apelit. Para afro 10 muajsh kur u bë arrestimi i tyre pas akuzave nga prokuroria dhe avokati i popullit për abuzim seksual dhe dhunë me fëmijët, ish-drejtorja Llazani u arrestua së bashku me 4 punonjëse të tjera. Të dy gjykatat, ajo e shkallës së parë dhe e apelit vendosën para 10 muajve masën e sigurisë “arrest me burg”. Kjo çështje nga pala mbrojtëse shkoi edhe njëherë në shkallën e parë duke kërkuar ndryshim të masës së sigurisë.

Në seancën e 11 janarit të këtij viti gjykata e shkallës së parë nuk pranoi ndryshimin e masës së sigurisë duke e lënë ish-drejtoren Llazani sërish në “arrest me burg”. Pala mbrojtëse apeloi sërish në gjykatën e apelit dhe kjo e fundit pasi rishqyrtoi pretendimet e prokurorisë dhe avokatit mbrojtës por edhe pasi ka dëgjuar vetë ish-drejtoreshën në sallën e gjyqit vendosi që të lehtësojë masën e sigurisë duke në “arrest shtëpie”. Më pas çështja u rikthye në shkallën e parë dhe këtë herë gjykata dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Në seancën gjyqësore Llazani ka deklaruar se ajo nuk ka keqtrajtuar asnjëherë fëmijët rezidentë të shtëpisë së fëmijës shkollore dhe po ashtu se nuk ka qenë në dijeni të abuzimeve seksuale që mund të kenë ndodhur me ata.

Ish-drejtorja ka hedhur poshtë çdo akuzë në lidhje me djalin e saj 16-vjeçar duke thënë se sëmundja e tij nuk i jep asnjë mundësi për të abuzuar seksualisht me fëmijët dhe kjo është e vërtetuar edhe përmes dokumenteve mjekësore. Llazani ka deklaruar përpara gjykatës së është e pafajshme dhe se e gjithë kjo që ka ndodhur ndaj saj në këto 10 muaj është e padrejtë. Në pyetje në sallën e gjyqit përpara kësaj seance janë marrë edhe vetë fëmijët e shtëpisë shkollore të cilët sipas burimeve kanë deklaruar se nuk janë dhunuar duke derdhur edhe lot përballë ish-drejtores Llazani. Më përpara gjyqi për Albana Llazanin në shkallën e parë është shtyrë rreth 8-9 herë për të ardhur deri në seancën e 13 prillit në shkallën e parë. Pritet që prokuroria të mos apelojë duke qenë se ka shfaqur pëlqimin e saj për lirimin e 3-ish punonjësve.

Artikulli paraprakGJIMNAZISTËT MARRIN DREJTIMIN E BASHKISË TIRANË PËR NJË DITË
Artikulli tjetërKUVENDI NIS PROCEDURAT PËR PRESIDENTIN, BASHA MBLEDH ALEATËT