Një tregtar rrobash në qytetin e Peqinit ka rënë pre e grabitjes mesditën e sotme.

Mësohet se Skënder Zeqiri 75 vjeç është grabitur nga një çift bashkëshortës, të cilët i kanë marrë nga banesa para dhe sende me vlerë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 në lagjen Cesmë.

Bashkëshortja e tij deklaron se nga banesa i kanë marrë 60 mijë Euro. Ajo rrëfen se në shtëpi në momentin e grabitjes ka qenë vetëm bashkëshorti sipas të cilit i është shfaqur në derë një vajzë e cila i ka kërkuar të futet në shtëpi për të përdorur tualetin.

“Unë jam e shoqja e Skënderit. Unë erdha në orën 1 se shkoj në treg me rrobat. O Skënder hap derën. Ai tha cca dere do ti, mua më kanë vrarë. Ai ishte në ballkon i shtrirë. Ishte një gocë dhe më tha do hyj pak në banjo dhe do urinoj.

Te kuzhina kishin prish bravën dhe kishin marrë gjithë lekët. Kisha hequr lekët për furgonin. Në total kanë marrë diku te 60 mijë Euro. Mora celularin të merrja çunin.

Mora celularin, nuk ma hapën. Morëm Skënderin dhe shkuam nga policia në spitalin e Peqinit”, thotë bashkëshortja e Skënderit.

Ndërkohë që vetë ai ka deklaruar se është sulmuar nga një çift bashkëshortësh të cilët e kanë lidhur dhe më pas e kanë dhunuar duke e detyruar që të tregonte se ku i mbante paratë.

Madje burime, bëjnë me dije se burrë e grua e kanë kërcënuar se nëse nuk do të tregonte ku kishte fshehur paratë, do e vrisnin.

Ndodhur përballë kësaj situate, më në fund i moshuari 75 vjeç ka treguar gjithçka. Pasi kanë marrë paratë dhe sendet me vlerë, grabitësit janë larguar në drejtim të paditur. Zeqiri, ka kërkuar ndihmën e fqinjëve të cilët e kanë dërguar në spital dhe kanë njoftuar policinë.

Zeqiri ndodhet në spitalin e Elbasanit në gjendje të rëndë për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe një grup hetimor.

Artikulli paraprakAKU BLLOKON 22.9 TON KRIPË, GJOBA 9 BIZNESEVE
Artikulli tjetër4 DEPUTETË TË PS DREJT DORËZIMIT TË MANDATEVE