Duke komentuar sekuestrimin e 10 tonëve narkotikë mbrëmjen e së mërkurës në Vlorë, kryetari i PD Lulzim Basha ka deklaruar se ajo është pjesë e klanit Habilaj-Rama-Tahiri.

Në një deklaratë për mediat, Basha u ka bërë thirrje organeve të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë për vënien para përgjegjësisë së autorëve. “Pas arrestimit të Habilajve në Itali prokuroria duhet të çojë prapa hekurave krerët e këtij klani mafioz dhe të vërë gjithashtu para drejtësisë kokat e politikës me të cilat ata janë lidhur”, ka deklaruar Basha. Ai ka theksuar se vonesa e organeve të drejtësisë është e pafalshme, ndërsa i ka kërkuar prokurorisë që të bëjë transparencë totale në lidhje me këtë aferë.

“Dënoj edhe përpjekjet e Haki Çakos për të tërhequr vëmendjen nga ky operacion i suksesshëm. Ka kaluar një muaj që kur opozita ka denoncuar me revoltë ngjarjen e Elbasanit që tregojnë se si shteti i Edi Ramës është vënë përfund nga mafia. Veprimet e Çakos nuk janë të vonuara, por pa vend. Çako duhet të ishte dorëhequr ose shkarkuar. Ai dhe kupola e policisë duhet të ishin para drejtësisë. Por kjo nuk mund të ndodhë përsa kohë në krye të ministrisë së Brendshme është Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit kërkohet nga drejtësia italiane për trafik kokaine dhe në krye të kupolës Edi Rama”, ka vijuar Basha.

Për kreun e opozitës, ka vetëm një rrugë për nxjerrjen e vendit nga kjo situatë: “largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie antimafie”. “Rama dhe Tahiri po bëjnë një marrëveshje me njëri-tjetrin, sepse Tahiri ka dokumenta dhe përgjime për përfshirjen e Edi Ramës me klanet mafioze”, ka shtuar Basha.

Artikulli paraprakRRËFIM – SOKOL META
Artikulli tjetërNDRYSHIME NË DREJTIMIN E AKU SHKODËR