Prindër e drejtues të shkollës kanë dhënë dëshminë e tyre pas alarmit të djeshëm kur katër nxënëse në shkollën 9 vjeçare të fshatin Bilaj të Krujës, përfunduan në spital me asfiksi.

Ata pranojnë se aty konsumohet hashash. Vetë drejtori e ka deklaruar, kurse prindërit ankohen se ky nuk ishte rasti i parë. Vajzat e moshës 13-14 vjeçare, banore të fshatit Bilaj, të cilat u dërguan menjëherë në spitalin e Krujës, deklaruan dje se ishte tymosur hashash në klasë. Edhe mjekët e urgjencës së Krujës theksuan paraprakisht se shkak mund të jetë tymi i lëshuar nga hashashi. Pas pushimit të gjatë 15 minutësh, nxënësit e shkollës 9 vjeçare të fshatit Bilaj janë rikthyer në klasë për të vazhduar programin mësimor. “Nga shkolla në spital për shkak të asfiksisë nga tymi i hashashit”. Të paktën ky është dyshimi paraprak i ngjarjes që ndodhi dje në shkollën 9 vjeçare të fshatin Bilaj të Krujës, ku katër nxënëse të klasës së tetë përfunduan në urgjencë, për shkak të problemeve me frymëmarrjen. Dëshmia e vajzave dhe konstatimi i mjekut të urgjencës bie ndesh me versionin e policisë në lidhje me këtë ngjarje. Sipas Policisë, ka qenë djegia e një masivi plehrash disa metra larg shkollës, që u bë shkak për asfiksinë e katër nxënëseve. Përdorimin e hashashit në klasë (gjatë pushimit të gjatë) e pranon edhe vetë drejtori i shkollës 9-vjeçare të fshatit Bilaj, i cili pohon se ishte ndezur vetëm një cigare nga djemtë. Por siç mësohet, një grup djemsh të shkollës kishin konsumuar lëndë narkotike në klasë në pushimin e gjatë. Në spitalin e Krujës ku u dërguan me urgjencë katër nga vajzat e asfiksuara, prindërit e tyre u përplasën verbalisht me drejtorin. Ata e akuzuan atë se lejon të pihet hashash në shkollën e fshatit. “Nuk është hera e parë që në shkollën tënde pihet hashash”, iu drejtua nëna e njërës prej vajzave. Ndërsa drejtori iu përgjigj se “është ndezur vetëm një cigare, nuk besoj se e kanë nga hashashi”. Mjeku i urgjencës së Krujës, Kastriot Mustafaj, i cili u kujdes për nxënëset, u shpreh se ato pohuan se në klasë ishte ndezur hashash. “Vajzat kanë shfaqur dhimbje koke, marrje fryme dhe dridhje trupi”, u shpreh ai

Artikulli paraprakALKET RIZAI: NUK JAM AS DJALL, AS ENGJËLL
Artikulli tjetërAKSIDENT TRUSH TË SHKODRËS