Nga 25 pikat që në mënyrë të përmbledhur japin premtimet e qeverisë për 100 ditët e para të qeverisjes, 3 kanë të bëjnë me situatën e rendit: Përcaktimi i kornizës së Vetting-ut në Policinë e Shtetit, Lançimi i operacionit kombëtar kundër rrjeteve kriminale dhe Çrrënjosja e kanabisit dhe heqja përfundimisht e Shqipërisë nga harta e vendeve kultivuese.

Këto premtime rezultojnë pjesërisht të realizuara. Përcaktimi i kornizës së Vetting-ut për policinë ka përfunduar dhe projektligji do të diskutohet në parlament me rifillimin e sesionit të ri më 15 janar. Pra, ky premtim mund të quhet i mbajtur, ndonëse pr/ligji nuk është bërë ende publik dhe efektet reale të tij pritet të ndihen shumë më vonë. Premtimi i dytë në lëmin e rendit, ai për lançimin e një operacioni kombëtar kundër rrjeteve kriminale, mund të quhet pjesërisht i plotësuar. Operacioni “Forca e Ligjit” për goditjen e grupeve kriminale vërtet u lançua në fillim të nëntorit, por rezultatet e tij janë të vakta. Një rast i shfrytëzimit të prostitucionit u godit në Shkodër për të cilin procedimi penal kishte filluar 6 muaj më parë nga një dënoncim i një organizate joqeveritare për të drejtat e njeriut.

Rasti i dytë dhe i fundit i këtij operacioni të njoftuar me bujë ishte në Fier, ku operacioni përfundoi vetëm me sekuestrimin e disa gramëve kanabis, një pistolete dhe arrestimin e 3 personave, njëri prej të cilëve u lirua në arrest shtëpie. Tani që formalisht operacioni ka nisur, policia mesa duket nuk ka specialistë hetimi për të luftuar grupet kriminale. Njoftimi i uniformave blu që bën thirrje për aplikime të bën të mendosh se task forcat rajonale dhe ajo qëndrore kanë mungesë burimesh njerëzore. Operacioni do të asistohet nga 7 hetues të huaj, ndërkohë që akoma po punohet për ngritjen e zyrave të task forcës qëndrore, ku do të vendosen edhe pajisjet speciale. Lufta ndaj kanabisit, që ishte një tjetër premtim duket se është fituar përsa i përket kultivimit. Vrojtimi i fundit i territorit i Guardit di Financias më 3 nëntor nxori rreth 5000 bimë të kultivuara, ndërkohë që për vitin 2016 vetëm të raportuara si të asgjësuara nga policia kanë qenë rreth 2.5 milionë bimë .

Por, nëse është fituar lufta ndaj kultivimit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për trafikimin ndërkombëtar të drogës. Gjatë 100 ditëve ka pasur të paktën 4 tentativa për të kontrabanduar sasi të mëdha droge drejt Italisë dhe Greqisë që janë kapur nga Policitë e vendeve fqinje, në ndonjë rast edhe me bashkëpunimin e policisë shqiptare.

Artikulli paraprakI DËRGONTE FOTO E VIDEO EROTIKE DJALIT AI E SHANTAZHON
Artikulli tjetërSTAR SPORT – 08.01.2018