Në një deklaratë të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda është bërë me dijeni finalizimi i një operacioni 3-vjeçar, kryesisht mes shtetit shqiptar dhe atij grek, por që gjithashtu ka përfshirë edhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, i cili ka bërë të mundur shkatërrimin e 4 grupeve kriminale në fushën e narkotikëve.

Prej operacionit të koduar “LIMIT” janë arrestuar 57 persona, si dhe janë shpallur në kërkim 8 të tjerë.

Pas hetimeve të bëra përgjatë viteve 2016-2019 Policia greke gjatë operacioneve të kryera ka sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3.5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1.3 kg kokainë.

Gjatë hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal edhe i 31 personave të tjerë në Shqipëri, duke u finalizuar me ekzekutimin e masave të sigurisë për 23 prej tyre, ndërsa 8 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndricim artificial, telefona celularë dhe disa automjete.

Aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin.

Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.

Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Operacioni ka vijuar mëngjesin e sotëm në disa qarqe të vendit, ku u angazhuan rreth 300 forca policore.

Artikulli paraprakAKSIDENT NE AKSIN LEZHE-LAÇ,PERFSHIHEN TRE MJETE
Artikulli tjetërKAPET DHE EKSTRADOHET NGA DANIMARKA VRASËSI I NARDIT TË BUJTINAVE NË SHKODËR