Pas arrestimit të drejtorit të hipotekës së Shkodrës Zamir Leka dhe masës së sigurisë “arrest me burg” për juristen e këtij institucioni Frida Mirashi, prokuroria ka dhënë disa detaje të tjera rreth këtij procesi hetimor.

Sipas prokurorisë drejtori Zamir Leka u la në “arrest me burg” sepse dyshohet për disa raste korruptive që lidhen me dosjet e depozituara në hipotekë.

Organi i akuzës bën të ditur se ka rezultuar e provuar që shtetasi Zamir Leka, në kundërshtim me ligjin dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, mban praktika të caktuara,

për të cilat më parë është marrë vesh për pagimin e shumave të kundërligjshme, deri në 5000 euro apo i mban në pritje të ofertave nga të interesuarit, dhe në momentin që merr përfitimin e kërkuar,

i kalon praktikat përkatëse tek juristët e zonave, në disa raste vetë dorazi, në disa raste të tjera nëpërmjet juristes Frida Mirashi, e cila rezulton të ketë bashkëpunim të ngushtë me të, dhe për zonat që nuk mbulohen prej saj.

Juristja Mirashi sipas prokurorisë ia ka kaluar specialistëve të tjerë me shënimin “Porosi e shefit”, duke kërkuar përfundimin e praktikës menjëherë.

Prokuroria shton gjithashtu se gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar e provuar se shtetasi Zamir Leka, ka regjistruar disa praktika tërësisht në kundërshtim me ligjin,

pa kryer verifikimet përkatëse. Lidhur me juristen Frida Mirashi, gjatë hetimeve rezultoi e provuar se kjo shtetase ka pasur bashkëpunim të ngushtë me shtetasin Zamir Leka, drejtor i hipotekës.

Ky drejtor gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar e provuar se në mënyrë të parregullt, pranon përfitime nga të tjerët, në këmbim të kryerjes së regjistrimit të pasurive, lejeve të legalizimit, etj. Drejtori Zamit Leka dyshohet edhe për kërcënim dhe kanosje të punonjësve të hipotekës për shkak të detyrës.

Pas arrestimit është pezulluar nga puna bashkë me juristen Frida Mirashi. Sipas burimeve në hipotekën e Shkodrës po kryheshin hetime të paktën në 6 muajt e fundit nga prokuroria dhe policia përmes përgjimeve telefonike, përgjimit ambjental dhe vëzhgimeve të ndryshme.

Këto hetime kanë çuar në ndalimin e ish-juristit të hipotekës Mirjam Bletaj për të ardhur tashmë tek juristja Frida Mirashi dhe drejtori Zamir Leka.

 

Artikulli paraprakKANABISI NË DUKAGJIN, 70 VITE BURG PËR 18 PERSONA
Artikulli tjetërZJARRET NË LEZHË, PAKUJDESI E BANORËVE