Pasuritë e dy lezhjanëve, me vlerë 5 milionë euro është vendosur sot në sekuestro preventive me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Bëhet fjalë për llogari bankare dhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të shtetasve Arjan Ndoci, Julian Deblini (Bedlini) dhe familjarëve të tyre. Ata akuzohet se drejtonin një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë dhe u arrestuan më 30 prill, kur në Spanjë u sekuestrua ngarkesa me 1 mijë kg kokainë dhe 1. 5 milione euro cash.

“Shuma e aseteve te sekuestruara ne kuader te operacionit, e perllogaritur me çmimin e tregut, kap vleren prej 5 milion Eurosh” informoi kreu i departamentit të policisë kriminale Eduard Merkaj gjatë një dalje të përbashkët për median me prokurorin e Krimeve të Rënda, Vladimir Mara

Arrestimi me 1 ton kokaine
Ndoci, 41 vjeçar, i cili njihej dhe me 5 emra të tjerë, dhe Deblini, 31 vjeç u arrestuan më datë 30 prill 2018 si drejtuesit e grupit kriminal që trafikonte drogë nga Amerika Latine në drejtim të Europës.

“Më datë 30 prill 2018, autoritetet policore spanjolle në bashkëpunim DEA dhe EUROPOL kanë arrestuar në flagrancë shtetasit shqiptarë:
1 – Arjan Ndoci, alias (Dritan Gradica, Ardjan Noka, Mondi Prenga, Mond Gjoni, Don Gjoni,) 41 vjeç, lindur dhe banues në Laç Kurbin;

2- Julian Deblini (Bedlini), vjec 35, lindur dhe banues në Lezhë. Ata akuzohen për veprën penale të “Trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, pas kapjes së një sasie prej 1.000 kg kokainë, e cila dyshohet se vinte nga Kolumbia si dhe të një shume prej 1.550.000 Euro cash. Këta 2 shtetas janë anëtarë të një grupi kriminal që zhvillonte prej kohësh trafik të lëndë

ve narkotike nga vendet e Amerikes Latine në drejtim te Europës” tha kreu i departamentit të policisë kriminale Eduard Merkaj.

Paratë e krimit u investuan ne Tirane
Pas arrestimit Policia e Shtetit shkëmbeu informacione paraprake për identifikimin e shtetasve dhe pjesëtarve të tjerë të këtij grupi kriminal si edhe aseteve te përfituara nga veprimtaria e paligjshme.

“Nga kryerja e veprimeve hetimore u ngritën dyshime të arsyeshme se këta shtetas, të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal jashtë shtetit i kanë investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në llogari bankare, për vete dhe për familjarët e tyre dhe në disa raste duke i fshehur ato në emra të afërmve. Konkretisht investimin e kane bërë në disa qytete të vëndit, e kryesisht në Tiranë” tha Merkaj

 

“Operacioni për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme është zhvilluar kryesisht në Tiranë, hetimet vazhdojnë. Nga të dhënat që kemi, ky grup kriminal ka aktivitet ekonomik dhe në vende të tjera” informoi edhe prokurori Mara.

Sekuestrohen dyqane, kuota dhe aksione ne shoqeri tregtare
Sot, oficeret e Task Forces Speciale në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekzekutuan Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda pranë :

• 3 bankave të nivelit të dytë, te disa llogarive bankare me nje sasi të konsiderushme eurosh.
• Kuotat dhe aksionet e 1 shoqerie tregtare me aktivitet ne fushen e ndertimit.
• 1 Njesie Banimi në pallat
• 8 apartamente, me nje siperfaqe ndertimi 905 metro katror.
• 2 njesi tregtare (dyqane) me nje siperfaqe prej 280.4 metro katrore.
• 4 garazhde ne total siperfaqe 60 metro katror.
• 3 automjete te tipeve dhe llojeve te ndryshme.

Gjithashtu vepronin dhe ne Itali
“Paralelisht me hetimin e pasurive kriminale po hetohet dhe për bashkëpunëtorët e tjerë, pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal që janë përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike në disa vende të Europës.

Aktiviteti i këtij grupi nuk daton me datën kur është bërë sekuestrimi i lëndës narkotike në Spanjë, por në një datë më të hershme. Kanë pasur aktivitet kriminal edhe në vende të tjera si Italia” tha prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara

Vijojnë hetimet
Operacioni u kodua “Vazhdimi” dhe materiali procedurial u referua nga Policia e Shtetit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për Krimet e Rënda Tiranë dhe u regjistrua procedimi penal nr.85, viti 2018, për veprat penale të “Grupit të strukturuar kriminal”,

“Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale“, në ngarkim të shtetasve Arjan Ndoci dhe Julian Deblini (Bedlini) .

Policia informon se gjate kryerjes se veprimeve hetimore, jane zhvilluar disa takime te perbashketa operacionale me perfaqesues te Zyres Rajonale te DEA Athine, DEA Madrid, autoritete policore Spanjolle dhe EUROPOL, ne kuader te shkembimit ne kohe reale dhe identifikimin e personave te tjere te perfshire ne kete aktivitet kriminal.

“Gjate gjithe kesaj periudhe, oficeret e Policise Kriminale të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, kane kryer veprime intensive proceduriale, duke perdorur metoda speciale te hetimit dhe pasije speciale per grumbullimin e provave materiale.

Policia e Shtetit ne bashkepunim me Prokurorine e Krimeve te Renda dhe agjencite ligj zbatuese amerikane dhe spanjolle, po vijojne veprimet per identifikimin e personave te tjere te perfshire ne kete aktivitet kriminal si dhe për pasuri të tjera, të luajtshme apo të paluajtshme, llogari bankare, të dyshuara me prejardhje kriminale ne shtete te ndryshme ku eshte zhvilluar ky aktivitet kriminal” tha Merkaj.

Artikulli paraprakSHENJTËRIMI I NËNË TEREZËS, PALAJ: VARFËRIA NË RRITJE
Artikulli tjetërME ARMË NË BREZ, DY TË ARRESTUAR