Largimi nga detyra i drejtorit të spitalit rajonal të Shkodrës, Vilson Masmalaj, ka lënë pa paga qindra punonjës të këtij institucioni. Është data 7 korrik 2018, ndërsa për këtë muaj asnjë prej punonjësve nuk ka marrë pagën që u takon.

Për kryetarin e sindikatës së shëndetësisë në Shkodër, Paulo Kaceri, e gjithë kjo vonesë ndodh gjithmonë në çdo ndërrim drejtori në spitalin e Shkodrës sepse pagat kalojnë vetëm pas firmës së drejtorit.

Kalimi i detyrës nga ish-drejtori Masmalaj tek drejtorja e re e komanduar, Teuta Rrjolli, kërkon vendimin përfundimtar nga Ministria e Shëndetësisë. Kaceri tha se kjo procedurë do të vonojë edhe për pak ditë shpërndarjen e pagave.

Kaceri shprehet se mosmarrja në kohë e pagave është një problem shqetësues për shumë punonjës të spitalit.

Drejtori Vilson Masmalaj është larguar pak ditë më parë, ndërsa qëndronte në detyrë që prej muajit nëntor të vitit 2017. Vendin e tij pritet të zërë drejtorja e re e komanduar, Teuta Rrjolli.

 

Artikulli paraprakTASK FORCA/ GJONAJ: 6 DREJTORË DUHET TË IKIN NGA PUNA, NDJEKJE PENALE PËR ZYRTARËT QË ABUZOJNË ME DETYRËN
Artikulli tjetërSHKODËR, AFTËSITË E PUNËKËRKUESVE TË ULËTA