Italia është përfshirë këtë të premte nga një grevë e përgjithshme dhe protesta masive në qytetet kryesore të vendit, ku punonjës dhe studentë kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime në modelin social dhe ekonomik.

Greva është organizuar nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL), ndërsa në mbi 100 qytete janë organizuar marshime dhe aktivitete proteste. Në krah të punonjësve dhe studentëve janë edhe drejtues të forcave politike të së majtës, mes tyre Elly Schlein e Partisë Demokratike (PD), Giuseppe Conte i Lëvizjes Pesë Yjet (M5S) dhe Nicola Fratoianni i Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës (AVS). Sekretari i përgjithshëm i CGIL-it, Maurizio Landini, do të mbajë fjalimin e tij në Romë, ndërsa greva do të zgjasë gjatë gjithë ditës dhe do të përfshijë sektorin publik dhe atë privat.

Ndërprerjet më të mëdha priten në sektorin e arsimit. Funksionimi i shkollave do të varet nga niveli i pjesëmarrjes së mësuesve dhe personelit tjetër në grevë. Për këtë arsye, prindërve u është kërkuar të verifikojnë paraprakisht nëse institucionet arsimore do të jenë të hapura.

Edhe në sistemin shëndetësor priten probleme në ofrimin e shërbimeve, me anulime të mundshme të vizitave mjekësore, ekzaminimeve të planifikuara dhe ndërhyrjeve kirurgjikale jo urgjente.

Në sektorin e transportit publik, pas ndërhyrjes së Komisionit për Garancinë e Grevave, disa kompani janë përjashtuar nga greva. Mes tyre janë ATM në Milano, ATVO në Venecia, GTT në Torino, SAD në Bolzano, Trentino Trasporti në Trento, ANM në Napoli dhe AMTAB në Bari. Në qytetet e tjera, autobusët, tramvajet dhe metrotë do të preken nga ndërprerjet 24-orëshe, duke respektuar oraret e shërbimit. Ndërkohë, sektori ajror dhe ai hekurudhor janë përjashtuar nga greva e sotme, me qëllim shmangien e ndërprerjeve të njëpasnjëshme.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakKOSOVA SHPALL MASA EMERGJENTE PËR ENERGJINË ELEKTRIKE, DO TË JENË NË FUQI PËR 60 DITË
Artikulli tjetërMOTI I KEQ, PROBLEME ME ENERGJINË ELEKTRIKE NË QARKUN SHKODËR, BLLOKOHET PJESËRISHT AKSI TAMARË-VERMOSH