Kufizim lëvizjesh dhe ndalim i çdo mbledhje apo tubimi në ambjent të mbyllur dhe të hapur. Me këto dy rregulla, Italia, nga 10 Marsi deri në 3 Prill 2020, bëhet një “zonë e mbrojtur”: “Të qëndrosh në shtëpi” është e domosdoshme. Giuseppe Conte nënshkroi mbrëmjen e të hënës dekretin e ri me kufizime të forta që shtrihet në të gjithë territorin. Masat kishin nisur aplikimin që me 8 mars, për Lombardinë dhe 14 provincat e Italisë Veriore.

Kështu, kinematë, teatrot, palestrat, dasma, funeralet dhe qendrat tregtare ndalohen kudo. Garantohet hapja e dyqaneve ushqimore dhe farmacive: ju mund të lini shtëpinë për të blerë. Baret dhe restorantet janë të hapura vetëm nga ora 6 deri në 18. Ata që kanë temperaturë mbi 37.5 duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Puna dhe nevojat – Qytetarët, tha kryeministri italian, do të lejohen të lëvizin nga banesat vetëm për 3 arsye të motivuara me një certifikatë të vetëfirmosur e të verifikueshme në çdo moment nga autoritetet policore.

Lejohet lëvizja për motive pune, halli familjar apo shëndeti si dhe për kërkesa jetike si pazari i përditshëm etj. Lëvizja e mallrave dhe transporti publik nuk ndalen. Është e mundur të bëni pazar. Ata që lëvizin nëpër zonë mund të vetë-vërtetojnë arsyet pse e bëjnë atë, por për ata që shkelin ose bëjnë deklarim të rremë, dënimet parashikohen deri në arrest.

Stop tubimeve– Conte njoftoi ndalimin e festave dhe tubimeve në gjithë Italinë.

Vetëkarantinim- Kushdo që paraqet simptoma të infeksionit, probleme me frymëmarrjen, ethe dhe temperaturë 37.5 gradë celsius, “rekomandohet fuqimisht” të qëndrojë në shtëpi dhe të kontaktojë mjekun e familjes. Ndalimi i lëvizjes është “absolute” për këdo që është karantinuar ose është pozitiv për virusin.

S’ka futboll- Janë ndaluar të gjitha aktivitetet sportive, përfshirë kampionatin e futbollit. Por garat ndërkombëtare mund të zhvillohen me dyer të mbyllura. Atletët profesionistë dhe olimpikë mund të stërviten.

Palestra jo, sport në natyrë– Palestrat janë të mbyllura, por ju mund të bëni sporte në natyrë duke respektuar distancën prej një metër. Mbyllen pishinat, banjat termale, SPA-të, qendrat kulturore dhe ato të argëtimit.

Mbyllen skitë- Pistat e skive në të gjithë Italinë janë mbyllur.

Punë online– Punëdhënësit publikë dhe private nxiten që të përdorin pushimet. Për mjekët kjo nuk vlen. Rekomandohet gjithashtu puna online edhe në mungesë të marrëveshjes me kompaninë.

Pezullohen aktivitetet sociale e kulturore– Të gjitha manifestimet dhe eventet janë pezulluar: kinematë, teatrot, pubet, shkollat e vallëzimit, dhomat e lojërave, dhomat e basteve dhe sallat e bingove, disko janë mbyllur. Muzetë dhe vendet arkeologjike gjithashtu.

Reduktohen oraret e bareve– Baret dhe restorantet mund të hapen vetëm nga ora 6 deri në 18 me detyrimin për të garantuar distancën prej të paktën një metër, në të kundërt do t’u mbyllet biznesi. Rregulli i distancës vlen për të gjitha dyqanet që mund të qëndrojnë të hapura, por nëse janë brenda qendrave tregtare ato mbyllen gjatë fundjavave. Nuk ka ndalesa për ushqimoret, farmacitë dhe parafarmacitë.

Mbyllen institucionet arsimore– Shkollat dhe universitetet janë mbyllur deri më 3 prill. Ndalohen të gjitha garat, përveç atyre për kualifikime ose në mënyrë elektronike, provimet për patentë shoferi gjithashtu janë ndaluar. Përjashtimi i vetëm janë konkurset për mjekët.

Kishat – Vendet e adhurimit mund të hapen vetëm nëse ato mund të garantojnë distancën prej të paktën një metër: ceremonitë civile dhe fetare, përfshirë funeralet, pezullohen.

Artikulli paraprakSTAKOHET ENERGJIA NË SHKODËR, OSHEE: JA ZONAT KU DO TË NDËRPRITEN DRITAT
Artikulli tjetër”NUK LEJOHEN MË PASAGJERË NGA ITALI”, BALLUKU: NËSE SHTETI FQINJ DO TË TËRHEQË QYTETARË NGA SHQIPËRIA, TË DËRGOJË AVIONË OSE TRAGETE BOSH