Lideri i shkarkuar katalan Carles Puigdemont ka bërë thirrje për “opozitë demokratike” ndaj sundimit direkt të vendosur nga qeveria e Madridit.

Puigdemont dënoi pezullimin e autonomisë së Katalunjës dhe premtoi të vijonte punën për të ndërtuar një vend të lirë, në një adresim televiziv të bërë nga një vendndodhje sekrete. Qeveria spanjolle i ka hequr autonominë Katalunjës dhe ka marrë në kontroll qeverinë e saj. Këto masa vijnë pasi parlamenti katalan votoi për të deklaruar pavarësinë ditën e premte. Një bulletin zyrtar shtetëror i kalon kontrollin e Katalunjës zv/kryeministres spanjolle Soraya Saenz de Santamaria. Më herët, qeveria spanjolle i hoqi fuqitë zyrtarëve të lartë të policisë rajonale, ndërkohë që kryeministri Mariano Rajoy lajmëroi shpërbërjen e parlamentit katalan, shkarkimin e liderit rajonal dhe zgjedhjet e parakohshme lokale. Demonstrata pro dhe kundër pavarësisë u organizuan në mbarë vendin gjatë gjithë natës. Të premten, parlamenti katalan deklaroi pavarësinë e rajonit përmes një mocioni të mbështetur nga 70 deputetë në parlamentin me 135 ndenjëse. Pas vendimit, Senati spanjoll aprovoi masat e kërkuara nga kryeministri Rajoy për të vendosur sundimin e drejtpërdrejtë mbi Katalunjën. Rajoy deklaroi se lideri katalan Carles Puigdemont dhe kabineti i tij do të shkarkoheshin, ndërkohë që zgjedhjet e parakohshme janë përcaktuar të mbahen në 21 dhjetor. Prokurorët spanjollë madje pritet të ngrenë akuza për rebelim ndaj liderit katalan Puigdemont.

Artikulli paraprakSEKUESTROHEN 4 MAKINA LUKSI ME VLERË 200 MIJË EURO
Artikulli tjetërÇ’PO NDODH NE SHKODER !