Franca fitoi 2-0 me Marokun në gjysmëfinalen e dytë të Botërorit dhe gjen në finale Argjentinën. Të diel në orën 16:00 djemtë e Deschamps do kërkojnë të mbajnë kurorën e kampionit të botës teksa përballë do jetë Lionel Messi me shokë. Ndeshja e sotme për Francën u vendos nga golat e Theo në minutën e 5 dhe Kolo Muani në minutën e 79.

Ndeshja nisi mirë për francezët, me Theo Hernandez që shënoi pas vetëm pesë minutave lojë. Në një aksion të rrëmujshëm në zonë dhe pas goditjes së Griezmann, topi mbeti në zonë dhe Theo me akrobaci shënoi për 1-0. Pjesa e mbetur e 45 minutave të para riktheu agresivitetin e Marokut, me afrikanët që patën disa mundësi për golin e barazimit. Në minutën e 44 El Yamiq me roveshatë mund të barazonte ndeshjen por zgjatja e Lloris ishte e duhura, me prekjen e portierit që rezultoi deçizive. Në pjesën e dytë Maroku me një lojë të shkëlqeyer kontrolloi ndeshjen por pa mundur të barazojë. Të pafat djemtë e Regragui që pësuan golin e dytë me Kolo Muani në minutën e 79. Vetëm pak sekonda pasi u fut në fushë, Muani mbylli ndeshjen.

Tanimë finalja e madhe e Katar 2022 është Argjentinë – Francë, me duelin që luhet në stadiumin “Lusail Iconic” të diel në orën 16:00. Ndeshja për vendin 3 dhe 4 është mes Kroacisë dhe Marokut që zhvillohet të shtunë në 16:00.

Artikulli paraprakTENSIONET NË VERI TË KOSOVËS/ ISH LUFTËTARI I UÇK: JAPIM JETËN PËR TË MBROJTUR TERRITORET
Artikulli tjetërKËTO JANË RREZIQET PËR SHËNDETIN NËSE QËNDRONI PËR NJË KOHË TË GJATË ULUR