Është zhvilluar java e parë e kampionatit në Kategorinë e Dytë të Futbollit. Skuadra e Adës luajti ndeshjen e saj ndaj Sopotit duke barazuar në fushën sportive “Adriatik” në Velipojë. Vendasit kërkuan një fitore në këtë sfidë të hapjes së kampionatit por nuk arritën që të finalizojnë në portën kundërshtare.

Nga ana tjetër edhe Sopoti rrezikoi disa herë por pa shënuar në portën e Adës duke bërë që kjo sfidë të mbyllet në barazim pa gola 0-0. Pas ndeshjes trajneri i Adës Vahedin Pepaj u shpreh se këtë vit skuadra e tij objektiv ka daljen në Kategorinë e Parë.

Trajneri Pepaj e ka të qartë se nuk është aspak e lehtë që da të realizojë objektivin që ka për daljen në Kategorinë e Parë por nëse të gjithë japin maksimumin atëherë velipojakët mund t’ia dalin.

Pepaj përveçse në rolin e trajnerin vazhdon që të jetë edhe futbollist në fushën e lojës në momentet kur skuadra ka nevojë. Në përballjen ndaj Sopotit Pepaj ishte në fushën e lojës dhe këtë e bën për të dhënë një kontribut aq sa mundet tek skuadra ku ka luajtur për disa kohë.

Në ndeshjen tjetër të Kategorisë së Dytë, Vllaznia B fitoi 2-1 përballë Klosit në fushën sportive “Reshit Rusi” duke e nisur me fitore kampionatin. Edhe Vllaznia B ka synim që të dalë në Kategorinë e Parë ashtu si Ada e Velipojës.

Ekipet e Shkodrës nuk janë të vetmet sepse edhe skuadra të tjera kanë të njëjtat objektiva në Kategorinë e Dytë çka e bën më të fortë rivalitetin për të kapur vendet e kreut në renditje.

Artikulli paraprakSHKODËR, ROMËT DHE EGJIPTIANËT DUAN STREHIM E PUNËSIM
Artikulli tjetërVLLAZNIA, ZOGAJ: GOLIN IA DEDIKOJ GJYSHIT QË NUK JETON MË