Komisioni Europian ka bërë një pyetësor në Shqipëri në lidhje me mundësitë për të humbur vendin e punës. Nga përgjigjet e dala sipas anketimit të KE rezulton se 28% e shqiptarëve kanë frikë se në 6 muajt e ardhshëm mund të mbesin në mes të katër rrugëve pa asnjë punë.

Në këtë mënyrë Shqipëria sipas KE është vendi me shifrat më të larta në Europë sa i përket frikës për largim nga puna ndërsa më pas vjen Turqia me 23%.

Ata që janë më të pasigurtë për largim nga puna mbeten të rinjtë shqiptarë dhe personat të cilët janë duke dalë në pension.

Mosha 25-34 vjeç jetojnë me frikën se brenda 6 muajve mund të jenë të papunë dhe shifra është 28%, më e larta krahasuar me shtetet e tjera kandidate dhe anëtare të BE.

Mund të mendohej ndryshe për ata që janë në prag të daljes në pension për shkak të eksperiencës dhe dijeve të tyre por në fakt nuk rezulton kështu. Shqiptarë që janë duke dalë në pension ndjehen të pasigurtë ashtu si të rinjtë.

Bëhet fjalë për grupmoshën 50-64 vjeç dhe shifra për ta sipas anketimit të Komisionit Europian është 26%. Arsyet tek të rinjtë dhe ata në prag të daljes në pension se pas 6 muajve mund të jenë pa një pagë janë të ndryshme.

Nis që nga rënia e fuqisë blerëse dhe deri tek ndërhyrjet e ndryshme. Për herë të parë KE ka bërë pjesë të raportit “Cilësia e Jetës” edhe vendet e Ballkanit Perëndimor duke u shtrirë në tre pika kyçe: cilësia e shoqërisë, ajo e shërbimeve publike dhe cilësia e jetës që është edhe më kryesorja.

Është një studim unik i cili ka për qëllim të shqyrtojë kushtet e jetës së qytetarëve europian në lidhje me cilësinë e shoqërisë dhe mirëqënien e tyre pa harruar shërbimet publike. Temat e përfshira janë të shumta.

Ndërsa Shqipëria dhe Turqia kanë përqindjen më të lartë të shtetasve që kanë frikë se do humbasin vendet e punës, Gjermania dhe Malta janë dy shtetet europiane që kanë shifrat më të ulëta me 5%.

 

Artikulli paraprakDHUNA NDAJ GRUAS, HYJNË NË FUQI NDRYSHIMET LIGJORE
Artikulli tjetër“FSHATI I RI” ME HALLE TË VJETRA