Komisioni Evropian i propozoi Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.

Komisioneri për Migrim dhe Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga udhëzuesi për liberalizim të vizave dhe se shpreson se tani edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli, do ta miratojnë propozimin. “Ne e propozojmë liberalizimin e vizave për Kosovën. E kjo ka të bëjë dhe me ratifikimin marrëveshjes me malin e zi dhe korrupsionin para se vendimi të hyjë në fuqi. Kjo është rezultat i Kosovës dhe punës së madhe në arritjen e kritereve. Ne do ta monitorojmë këtë proces nga afër. E dimë sa e rëndësishme është për qytetaret dhe jam shumë i lumtur që rekomandoj heqjen e vizave për Kosovën. Heqja e vizave, nuk do të thotë hyrje e lirë dhe e pakontrolluar e kosovarëve në BE. KE kemi të bëjmë me kontrollin e migrimit ilegal. Sot kemi marrë hapa konkret për Turqinë dhe Kosovën”, tha ai. Lajmi u përshendet menjëherë në një konferencë për mediat nga kreu i Kuvendit Kadri Veseli. “Falënderoj ish-kryeministrin dhe ministrat që kanë bërë punë të jashtëzakonshme. Kjo është epoke e re, jemi në fund të izolimit të kosovarëve, është si rrëzimi i murit të Berlinit”. Ai gjeti rastin të konfirmojë edhe Ministrin e ri të Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili rikthehet si kryediplomat i Kosovës.

Artikulli paraprakMUZEU I KUJTESËS NË SHKODËR, PIKË REFERIMI NGA NXËNËSIT
Artikulli tjetërMINISTRIA DREJTESISE DEPOZITON KERKESEN PER ARRESTIMIN E FRROKUT