Këshilli i Qarkut Shkodër ka përshëndetur lirimin e Ramush Haradinaj nga gjykata franceze.

Në një deklaratë për shtyp thuhet se jo vetëm z. Haradinaj por miliona shqiptarë ndjehen të lirë dhe fitimtarë. “Lirimi nga gjykata e Kolmarit në Francë të Ramush Haradinaj duke mos pranuar kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e tij është një lajm i gëzuar për mbarë shqiptarët kudo që janë. Këshilli i Qarkut Shkodër, ashtu si të gjithë shqiptarët përshëndet këtë vendim të drejtësisë franceze për të lënë të lirë ish-komandantit e UÇK-së që luftoi për të mbrojtur atdheun dhe qytetarët e tij.

Jo vetëm Z.Haradinaj por të gjithë ne, ndjehemi të lirë e fitimtarë sot sepse Ramush Haradinaj është një personifikim i miliona shqiptarëve që e mbështetën dhe kërkuan që drejtësia të vendoset në vend duke hedhur poshtë atë kërkesë absurde të Serbisë”-thuhet në deklaratë. Kryetarja e Këshillit të Qarkut Greta Bardeli e ka uruar z.Ramush Haradinaj të cilit në janar të këtij viti këshilli i qarkut i akordoi titullin “Nderi i Shkodrës”.

“Menjëherë pas këtij vendimi të gjykatës së Kolmarit, kryetarja e Këshillit të Qarkut znj. Greta Bardeli përmes komunikimeve e ka uruar z.Haradinaj për lirimin e tij dhe fitimin e kësaj beteje. Znj. Bardeli i ka përcjellë gëzimin e saj dhe të gjithë qytetarëve të Qarkut Shkodër. Më përpara, në janar të këtij viti, kur po përballej ende me drejtësinë franceze, Këshilli i Qarkut Shkodër e shpalli ‘Nderi i Shkodrës” z.Haradinaj. Ky titull u dha me motivacionin: “Në shenjë solidariteti, nderimi e respekti për luftëtarin e lirisë së Kosovës, politikanin e vlerave europiane që nuk rresht përpjekjen për t’u përballur me dinjitet me kundërshtarët e lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve’.

Nga ana e tij z.Haradinaj ka shprehur një mirënjohje të thellë dhe të përzemërt për të gjithë shkodranët dhe shqiptarët që kanë qenë përkrah tij në këto ditë të vështira që kaloi. Urojmë dhe dëshirojmë që Ramush Haradinaj të kthehet sa më shpejt pranë familjes së tij për të gëzuar lirinë e plotë dhe po ashtu për të qenë pranë qytetarëve të Kosovës dhe popullit shqiptar të cilët u solidarizuan deri në lirimin e plotë të tij”-përfundon deklarata për shtyp e Këshillit të Qarkut Shkodër.

Artikulli paraprakLIRIMI I HARADINAJT TRONDIT SERBËT , MBLIDHET URGJENT QEVERIA
Artikulli tjetërRAMA URON HARADINAJN PËR LIRINË: FITIMTAR PËR HERË TË DYTË