Janë zbuluar emrat e dy shqiptarëve të arrestuar dje nga policia spanjolle në bashkëpunim me DEA-n amerikane duke sekuestruar 1 ton kokainë dhe 1.5 mln euro.

Sipas medieve spanjolle bëhet fjalë për Julian Deblinin dhe Dritan Gradicën.

Policia ka arrestuar 5 persona, 2 shqiptarë, 2 spanjollë dhe një kolumbian.

Lënda narkotike transportohej nga Kolumbia në drejtim të Spanjës me avionë të vegjël me fluturime çarter. Transporti bëhej i kamufluar sikur ishin një kompani që ofronte transport.

Droga ishte e ndarë në 790 pako me kokainë dhe transportohej në valixhe të mëdha të zeza. Droga ishte markuar me logon ‘CR7’, një shkurtim që përdoret nga lojtari i famshëm i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo.

Sipas autoritete spanjolle, hetimi filloi nëntorin e kaluar, grupi kishte bazën në Shqipëri. Pas hetimeve rezultoi se kokaina në Spanjë futej nga banda shqiptare me fluturime çarter nga Kolumbia më pas shpërndahej në të gjithë Europën.

Zëdhënësja e policisë spanjolle Laura Garavoa  konfirmon arrestimin e dy shqiptarëve, ndërsa shprehet se njëri prej tyre ishte koka e bandës së kokainës.

“Grupi i kokainës drejtohej nga 2 shqiptarë, u arrestuan të dy në Madrid” – tha ajo.

Përveç drogës dhe 1.5 mln eurove cash që do të bëheshin për pagesën e transportit janë sekuestruar edhe pesë makina luksoze, karta telefonike dhe pajisje të tjerë që përdorte banda shqiptare.

Kjo nuk është herë e parë që shqiptarët janë të përfshirë në trafik kokaine nga Amerika Latine.

Në fund të muajit shkurt nga Kolumbia në Shqipëri u transportuan përmes kontenierëve 613 kg kokainë.

Në Kolumbi janë bërë atentate ndaj disa shqiptarëve, tre prej të cilëve kanë mbetur të vdekur, i fundit u vra në fillim të muajit prill, Adriatik Lagjaj.

Në media u fol se ai është vrarë nga kartelet e drogës për shkak të prishjeve të pazareve të drogës dhe për shkak të sasisë së madhe të kokainës së kapur në vendin tonë, por kjo pistë është ende e pakonfirmuar.

Kjo vrasje erdhi në një kohë kur në Durrës u kap 613 kg kokainë e ardhur nga Kolumbia me kontenierë të kompanisë së banave “Arbri Garden”.

Artikulli paraprak“LEGJENDA E VETMISË” NË FRENGJISHT
Artikulli tjetërMJEKË E FARMACISTË, DATA KUR DO ZHVILLOHEN PROVIMET