Ekipi kombëtar U-19, ka fituar sot me rezultatin 5-3, në ndeshjen miqësore kundër homolegeve të Maqedonisë në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit.

Vajzat e drejtuara nga trajneri Nevil Dede, kanë zhvilluar në përgjithësi një lojë të mirë duke qenë gjatë gjithë kohës superiore ndaj kundërshtarëve të tyre. Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur me rezultatin e thellë 4-0. Në të dytën, janë shënuar edhe katër gola të tjerë, prej të cilëve një e ka shënuar Shqipëria dhe 3 skuadra e Maqedonisë. Për ekipin tonë golat në këtë ndeshje janë shënuar nga Uendi Muja, Arlinda Hasanaj (2), Blerta Shala, Katrina Biçkaj. Ky takim është i dyti, i zhvilluar me këtë skuadër në kuadër të programit të ndeshjeve miqësore, që sektori i ekipeve kombëtare kishte përgatitur. Dy ditë më parë, të dyja skuadrat janë ndeshur në stadiumin “Skënderbeu”, të qytetit të Korçës dhe ndeshja ka përfunduar me rezultatin 4-5, në favor të skuadrës maqedonase. Golat për skuadrën tonë u shënuan nga Katrina Biçkaj, Uendi Muja (2) dhe Anxhela Aliu. Sipas Denis Lilos, përgjegjësit të Zyrës së Ekipeve Kombëtare, këto dy ndeshje janë organizuar në kuadrin e përgatitjeve që skuadra U-19 femra po bën për Eliminatoret e Kampionatit Europian, të cilat do të zhvillohen nga data 14-19 shtator, me pjesëmarrjen e skuadrave të Skocisë, Qipros dhe Serbisë.

Artikulli paraprakMALËSIA E MADHE NDERON “QYTETAR NDERI” DY FUTBOLLISTËT E KOMBËTARES
Artikulli tjetërRINAS, TRE TË ARMATOSUR GRABISIN NJË SHUMË TË MADHE PARASH