Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në Shkodër në prag të ndeshjes që do të zhvillojë me Maqedoninë në stadiumin “Loro Boriçi”.

Kjo ndeshje është e vlefshme për eleminatoret e kupës së botës Rusi 2018. Kuqezinjtë kanë mbërritur një ditë përpara ndeshjes dhe kombëtarja shqiptare ka zgjedhur që të akomodohet në mjediset e hotel Colesso për vetë kushtet që ofrohen aty. Interesi për lojtarët e kombëtares ka qenë tejet i madh sapo kanë mbërritur në qendër të qytetit. Menjëherë yjet e kuqezinjve kanë nisur që të firmosin bluza e të japin autografe për tifozët e zjarrtë të tyre. Nuk kanë munguar as përshëndetjet dhe urimet nga tifozë të ndryshëm. Kështu ardhja e kombëtares në qendër të qytetit ka krijuar një atmosferë ndryshe. Ndeshja e Shqipërisë me Maqedoninë është tejet e rëndësishme sepse me çdo kusht kërkohet fitorja. Lojtarët por edhe vetë trajneri De Biazi kanë deklaruar se është një ndeshje e vështirë por asgjë nuk është e pamundur. Shqipëria ndodhet në një grup të vështirë por një fitore me Maqedoninë do të thoshte shumë për kombëtaren duke e nisur mbarë rrugëtimin e gjatë në eleminatoret e Kupës së Botës Rusi 2018. Patjetër që me kundërshtar si Italia dhe Spanja në grup kualifikimi duket si një çmenduri por De Biazi dhe të besuarit e tij besojnë deri në fund.

Artikulli paraprakMUNGESA E WC-VE PUBLIKE, NDOTET LULISHTJA E SHATERVANIT
Artikulli tjetërTË JETOSH SI NËNË TEREZA…