Konferenca “Të ikësh apo të rrish” Dilema e Ballkanit diskutohet në Gjermani

Përse njerëzit largohen nga vendet e Ballkanit? Është kjo pyetja e ngritur javën që kaloi në një aktivitet të zhvilluar në Ulm të Gjermanisë ku të ftuar nga Ballkani Perëndimor ndanë këndvështrimet e tyre me qytetarët gjermanë lidhur me arsyet ekonomike, sociale dhe politike që kanë detyruar qytetarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë të ikin masivisht drejt Europës. “Të ikësh apo të rrish” titullohej paneli që mblodhi në qytezën e Ulmit gazetarë dhe analistë politikë i organizuar nga Qendra Federale për Edukim Qytetar. Në 2015-ën, Europa u përball me valën më të madhe të emigracionit që pas Luftës së Dytë Botërore. Vetëm në Gjermani, erdhën mbi 1 milionë refugjatë duke sfiduar autoritetet gjermane dhe vetë qytetarët të vënë përballë një situate të paprecedentë. Por që pas mbylljes së të ashtuquajturës “rruga ballkanike” numri i refugjatëve është reduktuar ndjeshëm. E ndërsa numri më i madh i refugjatëve ishin nga vendet në konflikt si Siria dhe Afganistani, një pjesë e tyre vinin nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Aktiviteti u zhvillua në dy panele të ndara ku në të parin ishin të ftuar gazetarja e Report TV, Erjona Rusi dhe Besa Shahini, analiste politike në Iniciativën e Stabilitetit Europian (ESI), nën moderimin e gazetarit dhe shkrimtarit gjerman Uwe Rada dhe gazetarit serb Andrej Ivanji, korrespondent i disa mediave gjermane në Beograd. Thuajse të gjithë pjesëmarrësit argumentuan se ndër arsyet kryesore që njerëzit largohen nga vendet e Ballkanit, pavarësisht specifikave që ka secili prej tyre, është mbi të gjitha mungesa e perspektivës, që ka të bëjë jo vetëm me zhvillimin ekonomik por edhe me situatën politike dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Ndërsa në mbrëmjen e dytë, në panel ishin të ftuar Ana Petruseva, gazetare në Maqedoni dhe bashkëthemeluese e Rrjetit Ballkanik për Raportim Investigativ dhe Milan Aleksic, studiues I shkencave politike në Serbi. Aleksic parashtroi situatën e vështirë ekonomike me të cilën po përballet aktualisht Serbia pavarësisht faktit se vendi ka nisur që në janar të 2014-ës negociatat për anëtarësim me BE-në që kanë sjellë mjaft ndryshime pozitive. Ndërsa Petruseva vuri theksin tek kaosi politik që ka përfshirë Maqedoninë ndërsa Greqia kërcënon se do të bojkotojë negocitatat për shkak të çështjes së pazgjidhur të emrit.

Artikulli paraprakDJUKANOVIÇ:PO HETOJME PERFSHIRJEN E RUSISE DHE SERBISE NE ATENTAT
Artikulli tjetërVOLTANA ADEMI, TE MERKUREN ORA 15:05 NE STUDIO E HAPUR