Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shtyrë seancën e shpalljes së vendimit të rivlerësimit për prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martini. Vendimi për Martinin ishte parashikuar që të jepej këtë të enjte në orën 10:00, por sipas njoftimit të KPK, për shkaqe të arsyeshme nuk do të zhvillohet. Ndër të tjera në njoftim thuhet se data tjetër e seancës për shpalljen e vendimit do të njoftohet sërish në faqen zyrtare të Komisionit.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për seancë dëgjimore. Martini në përfundim të kësaj seanca ka kërkuar konfirmimin në detyrë pasi sipas pretendimeve të tij nuk ka bërë asnjë shkelje. Prokurori i Krimeve të Rënda, është kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe nëse konfirmohet në detyrë ai do të jetë prokuror i SPAK.

Ndër të tjera Anton Martini ka deklaruar se është përballur me njerëz tepër të rrezikshëm por përsëri nuk është tërhequr nga detyra e tij. Martini ka shtuar se në vitin 2007 familja e tij ishte kërcënuar dhe pikërisht për këto detyra të rënda që ka marrë përsipër dhe vendosmërinë e tij, Martini ka kërkuar konfirmimin në detyrë.

Prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Për të marrë emërimin në SPAK, atij i duhet të kalojë si barrierë të fundit procesin e vetingut në të dy shkallët.

Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi. Në qershor 2018, Martini u rikthye në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Artikulli paraprakÇMENDURI NË SAUK ME 221 KM/H, POLICIA: MOS SHPEJTO TË ARRISH AKSIDENTIN (SHIKONI PAMJET)
Artikulli tjetërPAS SHQIPËRISË, TËRMETI GODET GREQINË, DY LËKUNDJE TË FORTA TMERROJNË QYTETARËT NË ORËT E MËNGJESIT