KQZ certifikon rezultatin final të zgjedhjeve, asnjë ankimim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar tabelat përmbledhëse të votave për të 12 qarqet e vendit, por ende nuk ka certifikuar rezultatin final kombëtar. Ajo do të presë deri ditën e hënë, duke respektuar afatin 5 ditor të lënë në dispozicion të partive për të bërë ankimime të mundshme në Kolegjin Zgjedhor. Edhe pse publikisht kreu PD-së, Lulzim Basha akuzon se zgjedhjet u manipuluan nga paratë e krimit, PD nuk ka bërë asnjë ankesë, apo nuk ka kontestuar asnjë rezultat në asnjë qark të vendit. Deri më tani, e vetmja parti që është shprehur se do të ankimojë rezultatin, është PDIU-ja, e cila nuk arriti që në qarkun e Tiranës të nxjerrë deputet kryetarin e saj, Shpëtim Idrizi. Për 39 vota Idrizi nuk arriti të kalojë pragun e 3%, dhe pretendon se votat e PDIU-së janë tjetërsuar. Nëse ajo do të ankimojë rezultatin e këtij qarku, certifikimi i zgjedhjeve do të kërkojë kohë. Përfundimisht, pasi janë numëruar në KQZ edhe kutitë e kontestuara në dy qarqe të vendit, dhe pasi janë numëruar edhe fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar në bashkinë e Kavajës, rezulton se në votime morën pjesë 1.614.479 zgjedhës, ose 46.79 % e atyre që kishin të drejtë vote. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit qendror të zgjedhjeve, partia e parë është Partia Socialiste e cila ka siguruar 74 mandate me 764.791 vota. E dyta është Partia Demokratike, e cila ka marrë 43 mandate me 456.481 vota. Partia e tretë parlamentare është Lëvizja Socialiste për Integrim e cila ka marrë 225.975 vota, të përkthyera në 19 mandate. Partia e katërt është PDIU, e cila ka marrë 3 deputetë, me 76.064 vota. Një tjetër parti që ka siguruar një deputet, është Partia Social Demokrate, e cila ka arritur të sigurojë një mandat në Shkodër për Tom Doshin.

Artikulli paraprakKAPET SHQIPTARI I KËRKUAR PËR VRASJE ,ISHTE DËNUAR ME 30 VITE BURG
Artikulli tjetërEDHE USHTRIA KUNDËR ZJARREVE DHE KANABISIT