Krerët më të lartë të shtetit presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha kanë uruar,nëpërmjet rrjetit social facebook, të gjithë besimtarët mysliman për festën e Kurban Bajramit.

Presidenti Meta ditën e shenjtë të Kurban Bajramit e cilëson si një ditë e cila na kujton ripërtëritjen e ndjenjave të besimit, të devotshmërisë, të thjeshtësisë e të përuljes para të plotfuqishmit.

Kreu i shtetit thekson se kjo festë përjetëson e vërteton harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, që e ka karakterizuar kombin tonë prej shekujsh.

Kryeministri Edi Rama urimin e tij e ka shoqëruar me një video, në të cilën shfaqen projekte të xhamive që po rikonstruktohen në mbarë vendin.

Ai thotë se këto janë pamje të marra nga kantierët e shumta të punës për rimëkëmbjen e xhamive në mbarë vendin që janë pjesë e thesarit tonë të trashëgimisë historike e kulturore.

Nga ana e tij kryetari i opozitës Lulzim Basha e karakterizon si festën e flijimit që kremton mposhtjen e egos dhe forcën e besimit në Zot.

Basha shprehet në këtë ditë të shenjtë të Kurban Bajramit se lutjet e tij shkojnë në veçanti për të pamundurit, të braktisurit dhe të nëpërkëmburit.

 

Artikulli paraprakKURBAN BAJRAMI, HALLUNI PËR GJAKMARRJEN: TË FALIM
Artikulli tjetërSHKODËR, I JEPET LAMTUMIRA ADMIR BOKRINËS